Emisioni ‘Opinion” në Tv Klan mbrëmjen e sotme ka trajtuar rastin e vetëvrasjes së 41-vjeçares Bedrie Loka ku mes të ftuarve ishte edhe gazetari Merin Maçi i cili u shpreh se situata mes çiftit është agravuar pas rastit të sëmundjes së nënës së viktimës.
Gazetari shprehet se fakti që Bedria duhet të ishte prezente më shumë në banesën e nënës së saj për shkak të sëmundjes ka ngritur dyshimet tek bashkëshorti i saj së ajo e përdorte këtë ikje nga banesa për të pasur lidhje me persona të tjerë.
Ndër të tjera gazetari shprehet se e shkuara kriminale e bashkëshortit të viktimës ka çuar policinë në dyshime duke hetuar më shumë lidhur me 45-vjeçarin Xhemal Loka. Gazetari përmendi edhe një tentativë për arratisje të bashkëshortit të viktimës nga burgu i Peshkopisë ku po vuante dënimin për vjedhje.
Merin Maçi: Ajo se çfarë e ka agravuar situatën ka qenë një situatë që i ka ndodhur nënës së viktimës. Në shkurt të vitit 2023 ka pësuar një sëmundje të rëndë dhe i është dashur që shpesh të ishte prezent në shtëpinë e saj dhe vëllait të saj. Kjo ka agravuar disi situatën mes çiftit duke ngritur dyshimet se ajo e përdorte këtë ikje nga banesa për të shkuar dhe për të pasur lidhje të tjera me persona të tjerë.
Ajo çfarë nuk ka bindur policinë ka qenë fakti që Xhemal Loka ka dorëzuar celularin e viktimës dhe celularin e fëmijës që ka incizuar videon për të cilën janë tre video dhe në mënyrë të vazhdueshme krahas tre videove ka pasur edhe video call që ai kryente me motrën e tij për t’i treguar dhunën që ushtrohej dhe në momentet që policia në telefonët e sekuestruar ka gjetur këto video, por nuk ka gjetur materialet për të cilat ka pretenduar 45-vjeçari ka përdorur metoda speciale për përgjimin e personave që ndodheshin në banesë, por duke parë edhe gjendjen psikologjike të rënduar të fëmijëve është bërë rimarja në pyetje dy ditë pasi 41-vjeçarja ka ndëruar jetë ku njëri nga fëmijët konkretisht djali i saj është thyer duke treguar dinamikën e ngjarjes dhe se babai i tij me 21 Dhjetor…
Blendi Fevziu: Maçi dyshimi i policisë është vetëm presioni që e ka çuar në vetëvrasje?
Merin Maçi: Presioni, të paktën deri në këto momente hetuesit për këtë dyshojnë. Deklarimet e marra në kohë relativisht të ndryshme kanë ngritur dyshimet që ka pasur një dhunë psikologjike në mënyrë konstante e shoqëruar me dhunë fizike, por dhe një ndihmesë kanë dhënë edhe deklarimet e vëllezërve të së ndjerës të cilët kanë rrëfyer se vajza e madhe kishte informacion për gjithë këtë situatë dhe në fakt ajo ka rezultuar mjaft me vlerë për hetuesit që kanë çuar në zbardhjen e ngjarjes.
Blendi Fevizu: Po zbardhja nuk është akoma përfundimtare për sa kohë bashkëshorti nuk e ka pranuar dhe duhet parë se çfarë vendimi do të marrë gjykata.
Merin Maçi: Po sigurisht bashkëshorti nuk do të pranojë akuzën. Ka edhe një histori bashkëshorti ku në vitin 2000 ka përfunduar në burg për vjedhje është dënuar me 20 muaj burg dhe ka pasur një tentativë për arratisje nga burgu i Peshkopisë në atë kohë dhe të paktën nga ana e policisë ka pasur ato dyshimet duke qenë se kishim të bënim me një njeri që kishte një të shkuar kriminale dhe mund të kishte tendenca për të krijuar alibi dhe ngjarje të tilla./tvklan.al