Një dëshmitare okulare e masakrës së tmerrshme të Rrugoves në 29 Janar 1999 ka rrëfyer përjetimin e saj të frikshëm në emisionin “Shtëpia e të ardhurve” në Tv Klan me moderatoren Mirela Milori. Ishte një masakër e cila ndodhi menjëherë pas masakrës së Reçakut ku ishin dhe fillesat e para që sensibilizuan opinionin ndërkombëtar, kryesisht Naton që t’i kthente sytë seriozisht nga Kosova dhe mos të rrinte më në tavolinë ku ishte mbështetur prej kohësh dosja e Kosovës.
Mirela Milori: Çfarë ndodhi atë ditë në Rugovë?
Gruaja: Në Rugovë të Hasit më 29 Janar ndodhi masakra nga e cila u vranë 24 persona. Unë atë ditë ndodhesha në shtëpinë tonë.
Mirela Milori: Si ndodhi, si erdhën serbët?
Gruaja tregon se në oborrin e saj ishin strehuar rastësisht disa persona që ishin në kërkim të policisë dhe pasi ranë në gjurmë të këtyre personave, shkuan dhe ia morën burrin i cili ndodhej në treg, ia lidhën duart e çuan në shtëpi, ku panë dhe njerëzit që ishin të arratisur dhe sapo kanë arritur në shtëpi, oborri u mbush me flakë dhe barut. Ajo shprehet se familjarët ndodheshin në shtëpi dhe u mblodhën 16 veta në një dhomë.
Gruaja shprehet se burri i saj ndërroi jetë në oborrin e shtëpisë nga plumbat së bashku me 15 persona të tjerë. Kanë dalë në rrugë, kanë mbytur dhe 9 civilë të tjerë nëpër oborrët e shtëpisë së tyre dhe kanë rreshtuar 24 kufoma në oborrin e shtëpisë së saj.
Gruaja shprehet se i kanë rrahur dhe plaçkitur dhe momentet që ka përjetuar kanë qenë më të frikshmet dhe më të tmerrshmet për të. /tvklan.al