Java e 19 e Superligës do të jetë edhe mbyllja e futbollit për vitin kalendarik 2024. Sfida të rëndësishme të gjitha pasi mund të sjellë ndryshime në renditje.
Këtë të premte luhet Vllaznia-Partizani, dy pretendentë për titull këtë sezon që gjenden shumë pranë në renditje me njëra-tjetrën.
“Sfida më e madhe është që të rikthehemi në vendin e parë. Kemi disa probleme, por nuk duhet të ankohemi. Jam krenar për lojtarët dhe jemi të përqendruar tek fitorja. Na mungojnë shumë lojtarë dhe duhet të bëjmë lëvizje pak a shumë si në shah. Duhet të lëvizim lojtarët që kemi në pozicionet e duhura. Është ndeshje e veçantë, nga ato të nivelit të lartë. Jam i bindur që do të krijojmë mundësi dhe do të jemi efektivë para portës”, tha Brdariç.
Skënderbeu në kushte mbijetesë dhe në vendin e fundit të renditjes përballet me Elbasanin. Korçarët janë përpjekur në javët e fundit dhe tashmë kërkojnë një fitore kundër ekipit që drejtohet nga ish-trajneri i tyre, Ivan Gvozdenoviç. Ernest Gjoka thotë se skuadra e tij e bën vetë fati e saj.
“Duket të bëjmë gjithçka për gjithçka. Nesër do jetë ndeshje tjetër, mentaliteti fitues do jetë. Sigurisht që kemi trajnerin që na njeh mirë. Futbolli është një lojë që nëse do ta kalosh do e kalosh”, tha ai.
Në ndeshjet e tjera të javës Laçi përballet me Tiranën, Dinamo ka sfidë direkte me Egnatian ndërsa Teuta luan kundër Bylisit.
Tv Klan