Mos regjistrimi i Listës Serbe si parti pjesëmarrëse në zgjedhjet e ardhshme parlamentare po shënon tjetër përplasje të Albin Kurtit me bashkësinë ndërkombëtare.

Në reagimin e tyre, Shtetet e Bashkuara u shprehën thellësisht të shqetësuara në një reagim për mediat.

“Jemi të shqetësuar nga përfshirja e dukshme e kritereve të motivuara politikisht në procesin e certifikimit të kryer nga Komisioni Qendror Zgjedhor. Veprime të tilla minojnë parimet themelore demokratike për zgjedhje të lira dhe të drejta dhe i hapin derën ndikimit politik subjektiv të procesit zgjedhor.”

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) nuk e ka certifikuar Listën Serbe, pas shqetësimeve të ngritura nga përfaqësues të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje se kjo parti nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe nuk i referohet me emrin zyrtar, por si “Kosova dhe Metohia”.

Rusia reagoi me anë të ministrit të Punëve të Jashtme, Sergej Lavrov. Ky i fundit i kërkoi Prishtinës të ndalojë terrorin ndaj serbëve dhe konfirmoi solidaritetin e Moskës me Beogradin për të mbrojtur të drejtat popullit serb.

Klan News