Ushtria ukrainase ka nisur të përdorë këtë muaj raketa balistike amerikane me rreze të gjatë veprimi, në luftën kundër rusëve.
Lajmin e konfirmuan për mediat amerikane zëdhënësit e Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit amerikan të Shtetit, të cilët thanë se sistemi i ashtuquajtur “ATACAMS” me rreze të gjatë veprimi i është dërguar Ukrainës fshehurazi në fillim të këtij muaji.
Ushtria ukrainase i ka përdorur këto raketa, të paktën një herë në një sulm të kryer ndaj një baze ajrore në Krimenë e pushtuar nga rusët që në 2014-ën. Sistemi “ATACAMS” i raketave balistike me rreze të gjatë mund të godasë objektiva në një largësi prej 300 kilometrash.
Ky lloj armatimi ishte pjesë e paketës së ndihmës, e miratuar në Mars nga administrata Biden, me vlerë 300 milionë Dollarë. Biden nënshkroi të mërkurën edhe ndihmën e madhe financiare të miratuar në Kongres prej 61 miliardë Dollarësh për Ukrianën, një paketë e shumëpritur nga Kievi që sipas presidentit Volodimir Zelenski do t’i japë një tjetër rrjedhë kundërofensivës, gati të shuar ndaj Rusisë.
Tv Klan