Shtetet Bashkuara të Amerikës nuk do të jenë kundër korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, nëse dy vendet arrijnë një marrëveshje të përbashkët.
Mesazhi i drejtëpërdrejtë i amerikanëve për shqiptarët dhe serbët erdhi nga Këshilltari i Presidentit Trump për Sigurinë Kombëtare, John Bolton.
“Mosmarrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë mund të jetë një nga çështjet më të rëndësishme. Shumë njerëz kanë tentuar të ndërmjetësojnë, por këto përpjekje kanë dështuar. Politika jonë, politika amerikane është që, nëse të dyja palët mund të punojnë me njëra-tjetrën për të arritur një marrëveshje, ne nuk përjashtojmë korrigjimet territoriale. Nuk na takon ne”.
Bolton la te kuptohet se nëse zgjidhja e përbashkët është e kënaqshme për Prishtinën dhe Beogradin, atëherë jo vetëm Shtetet e Bashkuara, por edhe Bashkimi Europian do ta pranojë atë.
“Nuk do të jemi pengesë, dhe nuk mendoj se dikush në Evropë do të qëndrojë në mes, nëse të dyja palët në konflikt arrijnë një marrëveshje të kënaqshme. Ne jemi gati të ndihmojmë nga larg apo nga afër. Por ne nuk mendojnë se do ta zgjidhim problemin për ata. Ne mendojmë se ata duhet ta zgjidhin vetë atë”.
John Bolton nuk lë vend për keqkuptime në prononcimin e tij në konferencën për shtyp që mbajti në Kiev. Të enjten ai pati një takim me Këshilltarin për Sigurinë e Presidentit Putin, Nikolai Patrushev, në Gjenevë.
Kjo është hera e parë që Shtetet e Bashkuara dalin me një qëndrim për çështjen e kufijve Kosovë – Serbi, qëkur ideja u propozua nga Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.
Tv Klan