Departamenti i Shtetit i SHBA-së, më 24 janar, urdhëroi ngrirjen e financimeve të reja për pothuajse të gjitha programet e ndihmës ndërkombëtare amerikane si pjesë e përpjekjes së presidentit Donald Trump për t’i përshtatur këto programe me qëllimet e tij të politikës së jashtme.

Këto programe zbatohen kryesisht përmes Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID. USAID-i ka investuar më shumë se 1 mld dollarë në zhvillimin e Kosovës që nga viti 1999.

Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ua dërgoi një mesazh ambasadave amerikane në mbarë botën duke sqaruar zbatimin e një urdhri ekzekutiv që Trump e nënshkroi më 20 janar, ku thuhej se “asnjë ndihmë e mëtejshme ndërkombëtare e Shteteve të Bashkuara nuk do të shpërndahet në një mënyrë që nuk është plotësisht e përputhur me politikën e jashtme të presidentit të Shteteve të Bashkuara”.

Sipas urdhrit ekzekutiv të Trumpit, ndihmat e tanishme amerikane “nuk janë në përputhje me interesat amerikane dhe, në shumë raste, janë në kundërshtim me vlerat amerikane”.

Shtohet se programet e ndihmës “shërbejnë për të destabilizuar paqen botërore” duke promovuar ide që bien ndesh me marrëdhëniet e qëndrueshme brenda vendeve që ato shërbejnë dhe me marrëdhëniet midis atyre vendeve dhe të tjerëve.

Urdhri ekzekutiv kërkon një pezullim 90-ditor të ndihmës zhvillimore ndërkombëtare të SHBA-së për të vlerësuar efikasitetin dhe “përputhshmërinë me politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara”.

Ky urdhër i prek shpërndarjet e reja të fondeve për vendet e huaja, OJQ-të, organizatat ndërkombëtare dhe kontraktorët, deri në përfundimin e rishikimeve të programeve.

Trump dhe republikanë të tjerë ishin zotuar se do të ndërmerrnin masa kundër programeve të ndihmës ndërkombëtare amerikane, dhe memoja e Rubios justifikoi ngrirjen duke thënë se ishte e pamundur për administratën e re të vlerësonte nëse angazhimet ekzistuese të ndihmës ndërkombëtare “nuk janë të përsëritura, janë efektive dhe janë në përputhje me politikën e jashtme të presidentit Trump”.

Kryetari i ri i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, përfaqësuesi Brian Mast (republikan nga Florida), premtoi këtë javë se republikanët do të shqyrtonin “çdo dollar dhe çdo diplomat” në buxhetin e Departamentit të Shtetit për të siguruar që ai i plotësonte standardet e tyre për nevojshmëri strikte.

Mast tha në një deklaratë pas konfirmimit të Rubios si sekretar i Shtetit se ai synon të punojë me Rubion për të “eliminuar” shpërdorimin në Departamentin e Shtetit.

/REL