Dihej prej kohësh, por tani paralajmërimi është zyrtar dhe vjen drejtpërdrejt nga kreu i NATO-s Mark Rutte. Sipas tij aleanca transatlantike e udhëhequr nga SHBA-ja nuk është gati për t’iu bërë ballë kërcënimeve me të cilat do të përballet nga Rusia vitet e ardhshme. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s kërkoi ndryshim mentaliteti, u kërkoi vendeve anëtare të sillen si në kohë lufte duke rritur shpenzimet për mbrojtjen.

Rutte tha se anëtarët e NATO-s kanë shpenzuar më shumë se 3% të PBB-së për mbrojtjen gjatë Luftës së Ftohtë dhe shpenzimet e ardhshme do të duhet të jenë shumë më të larta se objektivi i tanishëm i aleancës prej 2%.

“Nuk jemi gati për atë që do të na vijë pas katër apo pesë vjetësh. Rreziku po lëviz drejt nesh me shpejtësi të plotë. Ajo që po ndodh në Ukrainë mund të ndodhë edhe këtu. Dhe pavarësisht nga rezultati i kësaj lufte, nuk do të jemi të sigurt në të ardhmen nëse nuk përgatitemi për t’u përballur me rrezikun. Mund të parandalojmë luftën tjetër të madhe në territorin e NATO-s dhe të ruajmë mënyrën tonë të jetesës. Ne duhet të kalojmë në një mentalitet si në kohë lufte duke shumëfishuar prodhimin ushtarak dhe rritur shpenzimet e mbrojtjes.”

Gjatë një fjalimi në Bruksel, Rutte tha se “Rusia po përgatitet për një konfrontim afatgjatë, me Ukrainën dhe me NATO-n.”

Klan News