Andi Dhamo, një qytetar nga Korça, tregon se prej 3 vjetësh, përpara portës hyrëse të banesës gjen makina të parkuara. Banesa është në afërsi të komisariatit të Korçës dhe punonjësit e policisë e kanë shndërruar derën e tij, në parkim.
“Si përditë, si zakonisht nuk mund të vij dot në shtëpi. Kjo mund të ndodhë në çdo moment. Unë sa herë vij në shtëpi nuk mund të gjej derën e shtëpisë hapur as për të parkuar makinën dhe as për të hyrë në shtëpi. Unë këtë e kam problem të përditshëm…
Unë jam munduar ta zgjidh në mënyrë qytetare, në mënyrë shoqërore duke iu folur, duke diskutuar si njerëz që mos se unë kam shtëpinë, mund të hyj në shtëpi për 1000 arsye. Kam edhe gjyshen, e kam 86 vjeç, nga momenti në moment mund të kem diçka për ta nxjerrë për të shkuar tek doktori. Nuk e marr dot makinën as për hall, as për mund, as për s’mund. Nuk e lëviz dot se nga momenti që do vij do gjej të njëjtën situatë si kjo tani ”, tha denoncuesi.
Në 26 Janar 2024 ka marrë gjobë, pasi është detyruar të parkojë keq. Gjobën e ka pranuar, por ai që i zuri derën nuk marrë asnjë masë.
“Jam ngjitur në shtëpi. Kishim lënë një vizitë me gjyshen për ta çuar te doktori dhe kur kam dalë në këtë pozicion që është makina kam gjetur gjobën. E kam parë, më pas mua më është liruar vendi i makinës dhe e kam parkuar makinën këtu. Shkoj dhe takoj personin që kam marrë informata se kush e ka këtë makinë për një ballafaqim, duke i shprehur se të lutem në vendin e parkimit që më ke zënë unë kam marrë një gjobë dhe kjo tashmë ka ndodhur për fajin tënd. Unë të kam pritur më shumë se një orë i thashë dhe të kam lajmëruar nga një punonjës që ka qenë atje. Dhe çfarë kërkon nga mua? Të lutem më liro vendin sepse unë jam gjobitur. Ti mund të kesh shtëpinë atje tha, por kjo s’do të thotë që ti ke shtëpinë dhe unë nuk duhet të parkoj makinën tha. Mund të vish 700 herë në ditë, pse 700 herë do të të liroj vendin ty?”, tha denoncuesi.
Makina Audi, që i kishte zënë derën ka 10 vjet pa taksa dhe pa siguracion. Ky mjet është në pronësi të një shtetasi, por në përdorim nga punonjësi i policisë, Maringlen Jaçellari.
Denoncimi i Andit është përgënjeshtruar menjëherë dhe në muajin Mars, Andi ka marrë një njoftim për në gjykatë, pasi është akuzuar nga përdoruesi, polici i makinës Audi.
“Pas 30-45 minuta, jo më shumë, më vjen një përgenjështrim i videos time që unë kam bërë. Nuk e di për çfarë arsye. Në video kam dalë me zë dhe me figurë. Në video nuk kam përmendur as emër, as mbiemër dhe as fytyra personi…
Në datën 21.03 më vjen një fletë padie nga gjyqi, ku i padituri më thotë, kallëzuesi Maringlen Jaçellari, akuzuar për shpifje. Nuk e di nëse kjo mund të quhet gënjeshtër apo shpifje. Nuk e di arsyen pse gjobitem. Unë jam i dëmtuari, jam gjobitur dhe unë hidhem në gjyq”, tha denoncuesi.
Me kamera të fshehtë zhvillojmë një takim me shefin e Rendit të Korçës, Maringlen Jaçellari. Ky i fundit pranon që ka zënë derën, por sipas tij Andi nuk duhet ta ngrinte zërin, pasi i ka prishur punë me gradat.
Qytetari: Shefi si je?
Margilen Jaçellari: Mirë!
Qytetari: Si kalove?
Margilen Jaçellari: Po! Ça kishit?
Qytetari: Më tha çuni i xhaxhait për këtë shqetësimin, që keni pasur. Të uleshim ta flisnim me qetësi.
Margilen Jaçellari: Ajo është shpifje e pastër, megjithatë unë thashë, nuk e çova as për vetëgjyqësi, sepse edhe të më pengosh mua, domethënë, ti të jesh për të ikur këtej dhe unë të të dal nga rruga dhe të të them jo nuk do ikësh edhe duke ditur, se kush jam unë. Unë s’jam… Unë jam shef rendi kam 20 vjet në Korçë. Edhe për mua nuk ishte e lehtë, sepse u diskutua edhe u bërën pengesë për të, unë të konkurroja për gradë. Erdhën ata, verifikuan. Dakord je në proces e le të vazhdojnë procesin ata, ç’rëndësi ka tashi. Ndaj meje është bërë një padrejtësi, sepse unë në shtëpinë time, në punën time. Po hajd, ia zura rrugën. Dakord! I thashë “prit, se erdha”, se isha për të ikur. Hëëë, kur vij unë makinën mbrapa. Kllëç atje! Kush je ti, që më pengon mua të iki?! Vetëgjyqësi. Edhe më e bukura prapë të hedhin në portal. Ja ça bën shefi. Mua më njohin të tërë, o burrë, nuk jam…Për në gjyq ajo është e mbaruar, që ajo atje është, sepse unë në të kundërt, ndëshkohem unë atje, ku kanë filluar ata. E tolerova njëherë, po tashi unë, s’e lë të më shkeli në grykë ai./tvklan.al