Në Shtator 2021, emisioni investigativ “Stop” në Tv Klan transmetoi një denoncim nga qyteti i Pogradecit. Shefi i sektorit të Punësimit, Drini Xhemollari, argumentoi abuzimin me dietat nga ana e Drejtorisë së Korçës për një aktivitet, ku ishte shënuar “fjetje dy netë”, por në fakt kishin ndenjur një natë.

Po kështu, në dieta ishte përfshirë edhe një punonjës, i cili nuk ishte fare prezent në seminar. Drini e ngriti problemin e dietave të falsifikuara dhe nga Drejtoria e Përgjithshme u dërgua auditi, i cili rezultoi se nuk e kishte idenë e problematikës në fjalë. “Stop” i është rikthyer kësaj çështjeje, pasi sot Drini ka fituar të drejtën edhe në gjykatë

SHTATOR 2021:

Drini Xhemollari: Kemi qenë në një seminar në Gjirokastër dhe aty kemi konstatuar një shkelje ligjore, falsifikim dietash, të cilat në koordinimin e dokumentave që kishte drejtoresha rajonale, nuk korrespondonin absolutisht. Ne kemi qenë në Tetor të vitit të shkuar dhe kemi qëndruar vetëm një natë. Në dieta rezulton që Drejtoria Rajonale ka marrë 2 netë, ndërsa ne kemi marrë vetëm 1 natë. Është një problematikë tjetër që normalisht e kam diskutuar me drejtoreshën dhe këtë pjesë, ka qenë pjesa e marrjes së një diete, ku një nga specialistët nuk ka qenë absolutisht në trajnim.

AUDIO REGJISTRIMI:

Denoncuesi: Iliri nuk ishte?

Përgjegjësja: E, nuk ishte.

Denoncuesi: Nuk ishte?

Përgjegjësja: Jo.


Auditi: Pse s’e vendos në dijeni drejtoreshën për falsifikimin? Kjo është gjë e rëndë.

Denoncuesi: Kë drejtoreshë?

Auditi: Drejtoreshën e madhe, për falsifikimin.

Denoncuesi: Po e kam vënë me email, pra.

Auditi: Jo, për falsifikim s’kam asnjë gjë unë. Do e kisha fut dhe falsifikimin unë.


Gazetarja: Është bërë një dietë, që nuk ka qenë prezent zotëria. Ilirjani nuk ka qenë prezent në seminar dhe ka marrë dietë.

Përgjegjësja: Nuk është kompetencë..

Gazetarja: Kush do më përgjigjet? Kush?

Përgjegjësja: Nuk është kompetencë e sektorit, që mbuloj unë.

Gazetarja: Kush sektor do më përgjigjet, pra? Sektori i administrimit?

Përgjegjësja: Nuk është përgjegjësi i sektorit të administrimit.


Denoncuesi: Po pse i bën ato more Alban? Vërejtje me paralajmërim dhe unë s’jam në dijeni fare. Për shkak të auditit, se të paskam ofenduar ty.

Auditi: E para, nuk na ke ofenduar ne. Në letra kemi thënë vetëm; ca janë këto “krevate”, që përdor? Kush ta ka përmend krevatin ty?

Denoncuesi: Po s’e përmende atë?

Auditi: Ma gjej, ku e ke të regjistruar?


(Regjistrim nga mbledhja)

Auditi: Jam i detyruar ligjërisht ta verifikoj falsifikimin.

Denoncuesi: Pse mo Alban, sot e more vesh këtë gjë ti?

Auditi: Ku ta merrsha vesh unë? Në krevat? Nuk kam thënë krevat unë, se nuk jam bastard, të dal nga profesioni. Të thashë, mos i ofendo titullarët!


Drini ka fituar të drejtën edhe në gjykatë dhe për këtë falenderon pasqyrimin e problematikës, që iu bë nga emisioni “Stop”.

Denoncuesi: Së pari, para se të them lajmin e mire do doja t’ju falenderoja si staf njëherë për punën e palodhur për të nxjerrë në dritë të drejtë e shkarkimit tim nga Agjencia Kombëtare e Punësimit, ku më në fund pas disa seancave gjyqësore në Korçë, në bazë të materialeve që depozituam nga emisioni Stop, zbardhi dhe gjykata vendimin për largimin të padrejtë nga puna për mua. Ju falenderoj shumë dhe gjithçka jua dedikoj ju, e cila ishte një punë e palodhur nga ana juaj, por që më në fund zbardhi atë të vërtetë që unë kam kërkuar që të dilte në dritë!/tvklan.al