Kequshqyerja apo konsumimi i produkteve të përpunuara janë një ndër faktorët kyç që ndikojnë në shëndetin e veshkave.

Nutricionistja Tea Brame në studion e “Shije Shtëpie” në Tv Klan listoi disa nga ushqimet të cilat ndikojnë në funksionimin normal të veshkës.

Mishrat e përpunuar, ushqimet e konservuara dhe pijet energjike janë disa nga produktet të cilat kanë ndikimin negativ në metabolizmit tonë dhe veçanërisht në shëndetin e veshkave.

Tea Brame: Për të pasur një organizim të shëndetshëm duhet që të eliminojmë kryesisht ushqimet e përpunuara duke filluar kryesisht që nga mishrat e përpunuar. Duhet të eliminojmë ushqimet e konservuara sepse kanë një sasi shumë të lartë të kripës, këtu iu referohem supave të konservuara. Natriumi i lartë na dehidraton dhe na krijon kristale në veshka të cilat sjellin më pas probleme në funksionimin e saj. Kripërat e larta ndodhen kryesisht në patatet e skuqura dhe kripa e tryezës. Ushqimet e pasura me fosfor i cili ndodhet kryesisht tek pijet me gaz ndikon në  formimin e kristaleve, gjithashtu sheqernat e larta që kanë pijet me gaz ndikojnë në yndyrat e trupit dhe insulinat rezistente që do të japin përsëri vështirësi në funksionimin normal të veshkës. Proteina absorbohet kryesisht në veshkë dhe zakonisht kur kemi një konsum të lartë të mishit të kuq kemi dhe acidit urik të lartë, pra nuk arrihet të kryhet plotësisht metabolizmi i proteinës në veshkë dhe kalon në gjak. Zakonisht sasia e proteinës që duhet të marrë një person i rritur i cili nuk kryen aktivitet fizik duhet të jetë 1 gram për kilogramë, përveç atyre që kryejnë aktivitet fizik që mund të shkojë 1.2 ose 1.5. Është mirë që të kemi kujdes me konsumin e mishit të kuq. Duhet të ketë një kujdes edhe tek konsumimi i ushqimeve me oksalat sepse mund të ndikojë në veshkë duke formuar kristale.

Gjatë fjalës së saj ajo gjithashtu renditi dhe disa nga ushqimet të cilat kanë vitamina dhe vlera të shtuara që do të ndihmojnë në funksionimin sa më të mirë të veshkave. Ndër to ajo listoi brokolin, mollën, pataten e ëmbël dhe luleshtrydhen, duke dhënë për secilën specifikat që kanë.

Tea Brame: Boronica ka një sasi shumë të lartë të antioksidantëve, vitaminë C ndihmon në funksionimin metabolik të trupit tonë, por dhe në pastrimin e veshkave. Luleshtrydhet kanë disa lloje fibrash dhe vitaminash C të cilat na ndihmojnë në absorbimin lehtësisht të ushqimit në organizëm, por edhe na filtrojnë pjesën e enzimave në veshka. Molla gjithashtu ka fibër shumë të mirë e cila na ndihmon jo vetëm në tretje, por gjithashtu ka ndikim pozitiv dhe në funksionimin e veshkave. Patatja e ëmbël ka një funksion shumë të mirë dhe një sasi shumë të lartë të vitaminës C, e cila rrit imunitetin dhe gjithashtu mbron veshkat. Brokoli është plot me antioksidantë, është lehtësisht i absorvueshëm në trup. Gjithashtu vaji i ullirit është një produkt i rekomandueshëm pasi ka Omega3 që ndihmon metabolizmin dhe lëngu i xinxifes e trëndafilit të egër i cili ndihmon në pastrimin e veshkës dhe largimin e toksinave./tvklan.al