Pas përfundimit të segmentit Thumanë-Kashar, pjesë e projektit të Korridorit Blu, qeveria ka gati për firmë dhe kontratat e reja për segmentet e tjera.
“Kontratat e reja për segmentet me poshtë nga Thumana në Kashar tanimë e kemi, nga Kashari pastaj në Rrogozhinë, nga Rrogozhina në Fier dhe kështu koha e lidhjes së Shkodrës me Tiranën, brenda kësaj dekade do të jetë rreth 40-45 minuta, ndërkohë që koha e lidhjes së Shkodrës me jugun poshtë do të jetë sa ç‘është sot koha e lidhjes me Tiranën, pra do të mund të shkohet deri në Vlorë për 2 orë, megjithëse sot koha është me e shkurtë në fakt se lidhja me Tiranën, se e provova dhe vetë dhe kështu me radhë me të gjitha projektet e tjera”, tha Edi Rama nga Shkodra.
Por veç investimeve publike, për Kryeministrin kanë rëndësi dhe investimet private në pasurinë e trashëgimisë së qyteteve.
Si të tillë ai vlerëson dhe projektin për ndërtimin e një hoteli të ri në qendër të Shkodrës, për të cilin u zhvillua dhe një konkurs ndërkombëtar me pjesëmarrjen e 5 studiove europiane.
“Ndërtuar një objekt i cili nuk është thjesht një objekt privat, por është një objekt që ne synojmë të krijojë një ikonë të këtij shekulli për Shkodrën e cila është shumë e pasur me monumente, është shumë e pasur me gjurmë të historisë ku çdo brez ka lënë gjurmën e vet dhe ku kjo ndërtesë do të jetë një gjurmë e cila do t’i shtohet kësaj trashëgimie të Shkodrës për brezat që vijnë”.
Një nga mënyrat që Kryeministri publikisht ndjek për të rritur performancën e kryebashkiakëve është ajo e kundërvënies me njëri-tjetrin, siç zgjodhi të bëjë sot mes Pjerin Ndreut të Lezhës dhe Benet Becit të Shkodrës.
“Do sfidohet edhe me shumë Pjerin Ndreu në Lezhë që ka kaq kohë që përpiqet ta kthejë Lezhën në një qendër më të rëndësishme se Shkodrën. E ka shumë më të vështirë, por megjithatë jam i bindur se duke parë nga Shkodra, do mësojë edhe do i çojë më tutje edhe planet e veta ambicioze”.
Tv Klan