Brenda dy muajve do të përfundojë regjistri elektronik i monitorimit të mënyrës se si kanë shlyer dëmet ndaj konsumatorëve kompanitë e sigurimit.
Projekti po bëhet me fondet e vetë kompanive, ndërsa monitorimin e ecurisë së pagesave në këtë sistem do ta kryejë Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.
Ervin Koçi, drejtori ekzekutiv i këtij autoriteti tha se inspektimet e e regjistrit elektronik marrin kohë dhe burime njerëzore, ndërsa kërkoi miratimin e ligjit të dorëzuar një vit më parë pranë ministrisë së Financave për t’i lënë këtë kompetencë Byrosë Shqiptare të Sigurimit.
Koçi tha se vështirësitë me të cilat është përballur fillimisht në këtë treg ishin të mëdha. Dy vite më parë 5 kompani nuk plotësonin detyrimet për të mbuluar me provigjone dëmet që duhet të paguanin dhe kishin mungesë kapitali, ndërsa sot janë vetëm 2.
Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare çështja e detyrimeve të prapambetura nga Fondi i Kompensimit tashmë është zgjidhur. Në 2018-ën u paguan 10 milion dollarë dëme të pashlyera në vite, ndërsa fondi inspektohet çdo muaj nëse krijon vonesa të reja.
Tv Klan