Shqipëria po përjeton një revolucion të vërtetë në sektorin e turizmit. Ekspertët parashikojnë se Shqipëria së shpejti mund të jetë Greqia apo Kroacia e re për miliona pushues nga të katër anët e Evropës, sipas një artikulli të botuar në revistën franceze “Quand Partir”.
Revista franceze në artikullin e saj ka bërë një historik të Shqipërisë, izolimin e saj gjatë komunizmit dhe hapjen e kufijëve pas viteve `90.
“Nga vendi më i izoluar në botë disa dekada më parë, Shqipëria po shndërrohet në destinacionin evropian më trendi të momentit”, shkruan media franceze duke e ilustruar me shifrat e turistëve. Para periudhës së Covid-19, Shqipëria regjistroi 5 milionë turistë, në vitin 2023, 10 milionë, ndërkohë që gjatë këtij viti pritshmëritë janë për 12 milionë, ndërsa vizioni i qeverisë për 2023, planifikon një shifër prej 20 milionë turistësh të huaj.
Në artikull theksohet se kjo rritje “fenomenale” në një kohë kaq të shkurtër, së pari përfshin rizhvillimin e tepërt të vijës bregdetare, krijimin e resorteve dhe komplekseve hoteliere, duke përfshirë hotelet me pesë yje. Gjithashtu, një rinovim i kryeqytetit Tiranës, qyteteve turistike si Gjirokastra apo Berati kanë ndikuar në rritjen e shifrave.
Përqindja më e lartë e turistëve janë nga Evropa Perëndimore, shpesh herë të tërhequr nga çmimet e ulëta. Artikulli shkruan se rritja e shifrave të turizmit do të ndikojë pozitivisht në ekonominë shqiptare, madje duke i dhënë një shpresë edhe për popullsinë që të mund të qëndrojë dhe investojë atje apo edhe që diaspora të kthehet.
Por në artikullin e medias franceze shkruhet se vendi i vogël evropian mund të përballet me rrezikun afatgjatë të një betonizimi të bregdetit, efektet e turizmit masiv, apo edhe modifikimin rrënjësor të shoqërisë shqiptare. Por të gjitha këto do ta tregojë e ardhmja dhe se nuk duhet të harrojmë se në radhë të parë i takon vetë shqiptarëve të zgjedhin fatin e tyre dhe vizitorëve nëse duan të kënaqen në vendin e vogël mesdhetar.
Klan News