Goli rekord i Bajramit nuk arriti t’i jepte pikë Shqipërisë që u mund 2 – 1 në ndeshjen e parë të Euro 2024 nga kampionia në fuqi Italia. Kuqezinjtë u përmbysën që në pjesën e parë dhe nuk mundën të shënonin edhe pse patën mundësi të pastra në minutat e fundit.
Me një mbështetje të jashtëzakonshme në Dortmund ku pjesa dërrmuese e stadiumit ishte me tifozë shqiptarë ndeshja nisi menjëherë me emocione.
Një rivënie e Dimarco në zonën italiane u shfrytëzua nga Nedim Bajrami, i cili tundi rrjetën pas vetëm 23 sekondash lojë, duke gëzuar mijëra mbështesës në stadium dhe miliona të tjerë që e ndoqën në TV Klan.
Sulmuesi kuqezi me goditjen e tij ia bëri të pamundur Donnarumma të ndalte topin.
Italia mori vrull pas pësimit të golit dhe Kuqezinjtë u tërhoqën në mbrojtje përballë presionit të kundërshtarit. Bastoni barazoi rezultatin në minutën e 11’.
Në të 16’ ishte radha e Barella të shënonte golin e avantazhit për Italinë. Goditja nga larg e mesfushorit të Inter nuk pengua dot nga Strakosha.
Italianët nuk reshtën së sulmuari portën shqiptare me kapitenin Gjimshiti dhe portierin Strakosha që shmangën gola të tjerë.
Pas pushimit Shqipëria pa më shumë nga sulmi. Ndryshimet e kryera nga Sylvinho sollën më freski në fushë.
Aksionet u bënë më të shpeshta me Manajn që pati mundësinë e artë në çastet e fundit, por topi i tij i kaloi pranë shtyllës.
Një ndeshje dhe një shans i humbur për të marrë pikë që do të vlenin shumë për objektivin kalimin me sukses të grupit të hekurt.
Vëmendja tani do të përqendrohet te Kroacia më 19 Qershor në Hamburg. Kroatët vijnë pas disfatës 3 – 0 me Spanjën dhe ashtu si Kuqezinjtë do të kërkojnë 3 pikët.
Tv Klan