Emisioni “Opinion”  në Tv Klan shtrihet sot në zona të ndryshme gjeografike dhe kohore të globit, por duke takuar virtualisht shqiptarët që jetojnë në to. Ndalesa e radhës është Mexico City, kryeqyteti i Meksikës ku ndodhet Vjollca Bajraj.

Vjollca është shqiptare e Kosovës e cila jeton në Mexico City prej vitit 1999. Ajo rrëfen jetën e saj në një vend tërësisht të ndryshëm.

Vjollca Bajraj: Si shumica e kosovarëve që gjatë luftës kanë shkuar në vende të ndryshme, ne nuk kemi dalë si refugjatë, nuk kemi pasur një rrugëtim shumë të vështirë. Unë jam bashkëshortja e poetit kosovar Xhevdet Bajraj të cilit në atë kohë gjatë vitit ‘98 Parlamenti Ndërkombëtar i Shkrimtarëve i ka dhënë një bursë për ta nxjerrë nga kushtet që ishim, por na zuri lufta, pastaj në ‘99 unë me fëmijët e vegjël kam dalë jashtë Shqipërisë si refugjate.

Blendi Fevziu: Po Xhevdeti ku ishte në ’99-ën, në Meksikë ishte që në fillim?

Vjollca Bajraj: Ne kemi ardhur në Meksikë në qershor ‘99. Nga Shqipëria, Xhevdeti ka ardhur pastaj në Shqipëri ku jemi bashkuar si shumë kosovarë të tjerë dhe pastaj Parlamenti Ndërkombëtar i Shkrimtarëve na ka kontaktuar në Shqipëri dhe më pas kemi udhëtuar për në  Mexico City.

Blendi Fevziu: Pse pikërisht Mexico City?

Vjollca Bajraj: Sepse gjatë vitit 1998 kur Xhevdetin e patën zgjedhur për bursë na rekomanduan tre vende: Venedikun, Parisin dhe Mexico City-n.

Blendi Fevziu: Dhe zgjodhët Mexico City-n?

Vjollca Bajraj: Po sepse Xhevdeti në bisedë me mua tha Vjollca, në Venedik dhe në Paris mund të shkojmë kur të duam, në Mexico City mbase asnjëherë nuk do të kemi mundësi për të shkuar dhe zgjodhëm Mexico City-n.

Blendi Fevziu: Dhe si ngelët pastaj në Mexico City?

Vjollca Bajraj: Bursa ka qenë për tri vite, plani ka qenë për t’u kthyer në Kosovë  por jemi kthyer pas 3 vitesh sepse Kosova u çlirua, ne donim të ktheheshim në Kosovën e lirë, jemi kthyer mirëpo kur jemi kthyer shtëpia ishte e shkatërruar, gjithçka ishte e shkatërruar dhe Meksika na ka dhënë një mundësi, biletën e kishim me kthim që nëse nuk gjejmë kushte për të jetuar, të ktheheshim prapë në Mexico City por këtë herë të jetojmë nga puna jonë. Gjatë tre viteve që Xhevdeti kishte bursë, unë kam filluar të punoj, jam mjeke në profesion dhe pata filluar të punoja në një klinikë, ndenjëm një muaj në Kosovë, pastaj u kthyem në Mexico City dhe filluam jetën, Xhevdeti filloi punë në universitet. Që nga atëherë ka punuar në universitetin e Mexico City-t  ku ka dhënë lëndën e poezisë. Unë jam kthyer në punë dhe më pas kemi vazhduar duke menduar 2-3 vite e kthehemi dhe tani u bënë 25 vjet.

Sa i përket imazhit të Mexico City si një vend i vështirë, me kriminalitet të lartë dhe banda, Vjollca thotë se nuk e ndien këtë.

Vjollca Bajraj: Kështu e paraqesin lajmet dhe zakonisht imazhi i Mexico City-t në botë është ky që thoni ju, por ne që jetojmë këtu nuk e shohim ashtu sepse ka edhe të mirat e veta të cilat nuk i ka mbase asnjë qytet në botë. Është qytet shumë ekzotik, natyrën dhe ushqimin që ka Mexico City unë mendoj që e kanë shumë pak vende në botë. Populli i Mexico City,  meksikanët janë njerëz aq të dashur sa mendoj se në çdo vend ku do të kisha shkuar të jetoja nuk  do ma kishin ofruar atë dashuri dhe atë ngrohtësi shpirtërore që ofrojnë latinët në përgjithësi dhe qytetarët e Mexico City-t në veçanti.

Blendi Fevziu: Ka ndonjë komunitet shqiptar në Mexico City?

Vjollca Bajraj: Jo ne kemi takuar më 28 Nëntor 5-6 shqiptarë të Shqipërisë që kanë 1-2 vjet dhe shkojnë në SHBA, dikush tjetër ka qenë i martuar me një meksikane, por nuk kemi gjetur komunitet të mirëfilltë shqiptar.

Bashkëshorti i Vjollcës ka ndërruar jetë. Ajo e mendon kthimin në Kosovë, por pasi të ketë krijuar diçka në Mexico City.

Vjollca Bajraj: Dëshira ime është një ditë të  kthehem në Kosovë, mbase jo sot sepse e kam krijuar një jetë që duhet të lë diçka të rregulluar që unë të kthehem në Kosovë. Kam dy djem, të dy janë të realizuar, i madhi jeton në Kili.

Blendi Fevziu: Ka një komunitet shqiptar në Kili, i kam takuar vetë ata. Pra djali i madh jeton në Kili, po djali tjetër?

Vjollca Bajraj: Djali tjetër jeton këtu në Mexico City me mua, ëstë student i mjekësisë në vitin e katërt. Nuk besoj që djemtë do kthehen në Kosovë, ata janë formuar këtu. Nuk di ku do mbesin, tani është globalizuar, mabse vijnë në Evropë, nuk e di.  Por dëshira ime është të kthehem. Unë në Kosovë kam vëllezërit.

Blendi Fevziu: Çfarë të mungon më shumë nga Kosova?

Vjollca Bajraj: Më mungojnë familjarët, ngrohtësia që ma japin familjarët, më mungojnë kafet e Kosovës, kafet tona dhe të Shqipërisë janë më të mirat në botë./tvklan.al