Kryeministri Rama thotë se e ka njohur dhëndrin e ish-presidentit të SHBA, Jared Kushner, pasi ky i fundit kishte ardhur për ta vizituar Shqipërinë me një jaht.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, kryeministri Rama thotë se Kushner ishte pronari i jahtit teksa shton se janë takuar me të në Durrës me ftesë të dhëndrit të Trump teksa shton se takimet e tyre kanë vijuar herë pas here.

Blendi Fevziu: Si e keni njohur ju Jared Kushner?

Edi Rama: E kam njohur rastësisht sepse ka ardhur bashkë me gruan dhe me miq të tjerë për ta vizituar Shqipërinë me një jaht. Ai që është pronari i jahtit dhe ai që ishte prijësi i tyre, më ftoi kur ata kishin ndalur në Durrës për t’u furnizuar dhe për ta vazhduar më tutje. Kemi bisdeduar, nuk ishin 2 por një grup më i madh njerëzisht dhe jemi takuar herë pas here.

Blendi Fevziu: A është Sazani sot zonë ushtarake?

Edi Rama: Po është zonë ushtarake. Do të duhet patjetër të hiqet nga lista e ushtrisë.

Blendi Fevziu: Keni pasur një eksperiencë me këtë gjënë me Portin e Sarandës. Është në SPAK çështja.

Edi Rama: Jo, ne nuk kemi pasur eksperiencë të keqe. Ne kemi ndeshur një situatë që ka krijuar një eksperiencë shumë të keqe për të drejtat e zhvillimit të një prone në bazë të një kontrate për sipërmarrësit. Aty ka një kontratë dhe ajo kontatë është kontratë me një sipërmarrje dhe marrja peng e një investimi që dot do t’i kishte dhënë Sarandës një marinë turistike të nivelit që pretendojmë të ketë Shqipëria, është në shkelje të plotë të të drejtave të investitorëve. Fatmirësisht ata janë shqiptarë, po të ishin të huaj do të kishin shkuar në arbitrazh. Pengohen 200 milionë Euro. Drejtësia ka të drejtën t’i bëjë të gjitha në raport me një procedure që i takon autoriteteve shtetërore. Nuk ka të drejtë të marrë peng një kontratë të nënshkruar që obligon shtetin shqiptar. Fati i mirë është që ata janë shqiptarë sepse po të ishin të huaj, do të na kishin marrë qimet e kokës. Aty pengohen 200 milionë.

Blendi Fevziu: Sazani, kur mendoni se do të marrë koncept më konkret?

Edi Rama: Është proces. Ata kanë bërë një aplikim për Sazanin, shprehin interesin. Tani, ajo duhet të kalojë sitën e agjencisë për të parë nëse përputhet me të gjitha kriteret që ka një aplikim i tillë dhe paralelisht vjen dhe projekti.

/tvklan.al