Pasojat e tërmetit të 26 nëntorit lanë pas shumë viktima dhe të lënduar, e po ashtu pasoja të rënda psikologjike tek personat që e përjetuan këtë tragjedi.
E ftuar në emisionin “Rudina”, psikologia Anxhela Peza, për t’u ardhëm sa më tepër në ndihmë personave të traumatizuar nga kjo situatë e vështirë, ka treguar disa nga mënyrat sesi mund të lehtësojnë dhe kalojnë përjetimet negative.
“Specialistët e shëndetit mendor, në katastrofat natyrore, në ekspozimin e individit përballë traumave psikologjike, ndihmojnë që të kapërcejnë atë që pengon jetën e tij, përditshmërinë dhe psikikën e tyre”, shprehet Peza.
Ajo shpjegon se është e rëndësishme të flasësh me psikologët për të larguar frikën, stresin dhe ankthin e mbledhur pas përjetimit të fortë nga tërmeti i sapokaluar, e sipas saj nëse nuk trajtohet, simptomat e çrregullimit të ankthit mund të zgjasin për shumë kohë.
“Biseda ndihmon…. kur t’i ke ngecur në traumën tënde sesi e ka parë ngjarjen, kur e ritrego ka një efekt psikologjik që tregon se ndoshta nuk ka qenë aq keq sa ti ke grackën e traumës. Kur ti i rikthehesh rutinës, ti në darkë ke lodhje fizike dhe mendore dhe gjumi jot është më i rehatshëm, kjo është një nga sugjerimet që ne bëjmë.
Sugjerimi tjetër është që të mos largoheni, për shembull të bëni një udhëtim jashtë, apo të ikni e të harroni gjithçka, sepse ajo do të mbetet aty dhe herë pas here ke “flashback” (kthim pas) dhe do të shfaqet ajo çfarë ka ndodhur, do t’i kesh ndjesitë e lëkundjes apo ndjesitë e tjera sepse ti do të rikthesh sërish në të njëjtën shtëpi apo vend. Mirë është që të jetë faktori kohë ai që ta bëjë të kuptosh më mirë se çfarë ka ndodhur, përveç se të qëndruarit me familjarë apo njerëz pozitiv që të mbështesin në raste të tilla. Mund t’i drejtohen për ndihmë edhe psikologut, psikiatrit, punonjësit socialë, etj.
Jam e bindur që do të ngrihen nga Urdhri i Psikologut struktura sociale , ndihmuese ndaj këtyre kategorive, sepse kjo që ndodhi do të jetë prezente për vite me radhë. Nëse ndodh diçka tjetër, një divorc, humbja e një pune, i rikthehet edhe një herë kjo gjë sepse nuk është trajtuar siç duhet në kohën e duhur”. /Tvklan.al