Në konferencën për shtyp, në prag të sfidës me Ukrainën në Ligën e Kombeve, trajneri i Shqipërisë, Silvinjo, deklaroi se do të jetë një ndeshje e vështirë dhe kuqezinjtë do të luajnë fortë.

Silvinjo deklaroi se lojtarët vijnë me dëshirë në Kombëtare dhe te kjo pjesë është i qetë.

“Është e vështirë për të parashikuar një lojë, si nga ana teknike dhe ajo fizike. Do të jetë një lojë të hapur. Kanë lojtarë shumë të shpejtë, si dhe të fortë në qendër. Ka mundësi të bëjmë një lojë të fortë. Do jetë një ndeshje e vështirë, por do luftojmë.

Unë kam punuar edhe më parë në Kombëtare, sepse kam qenë te Brazili. Kombëtarja është e hapur për të gjithë. Lojtarët vijnë me dëshirë. Kur nuk ka dëshirë, aty një lojtar nuk mund të japë shumë. Nuk jam i shqetësuar te kjo pjesë. Lojtarët i shikoj të motivuar.”, tha tekniku kuqezi.

I pyetur për skemën, Silvinjo theksoi se ajo përshtatet sipas karakteristikave të lojtarëve.

“Për një vit e gjysmë luajtëm me skemën 4-3-3, pastaj me 4-2-3-1. Ne i përshtatim skemat sipas lojtarëve. Stafi duhet të kuptojë karakteristikat e secilit lojtar.

Në Varshavë kemi pasur të njëjtën situatë me mungesat. Megjithatë kemi edhe lojtarë të tjerë që përshtaten. Kombëtarja është e hapur për të gjithë, mund të jetë një mundësi për këta lojtarë që nuk janë aktivizuar më parë.”, tha Silvinjo.

Trajneri i Shqipërisë, u shpreh se nuk futet në fushë për rezultat tjetër përveç fitores.

“E kam thënë edhe më parë, në ndeshjen e fundit ndaj Moldavisë, na mjaftonte një barazim, por nuk mendoj se ka ndonjë trajner që mendon për barazim. Gjithmonë mendohet për fitore. Ne do futemi në fushë për të luajtur shumë fortë dhe për të marrë maksimumin nga kjo ndeshje.

Të gjitha ekipet e grupit kanë luajtur në Europian. Aty është maksimumi. Liga e Kombeve është ndryshe. Jam i shqetësuar sepse lojtarët vijnë me pak ndeshje dhe pak pushime. E rëndësishme është që lojtarët të besojnë se duhet dhënë më e mira dhe të marrin maksimumin.”, përfundoi trajneri i Kombëtares.

Ndeshja Ukrainë-Shqipëri, do të luhet të shtunën e 7 shtatorit dhe transmetohet në ekranin e Tv Klan.

/tvklan.al