Për herë të parë në historinë e saj 87-vjeçare, gjigandi automobilistik Volkswagen po shqyrton mundësinë e mbylljes së fabrikave në Gjermani.

Shkak është bërë rritja e kostove mes konkurrencës nga prodhuesit e automjeteve elektrike në Kinë.

“Industria europiane e automjeteve është në një situatë shumë serioze. Mjedisi ekonomik u bë më i ashpër dhe konkurrentë të rinj po hyjnë në tregun europian”, deklaroi të hënën CEO i Volkswagen Group, Oliver Blume.

Volkswagen po përballet me humbje të tregut në Kinë, tregu i saj i vetëm më i madh.

Në gjysmën e parë të vitit, dërgesat për klientët në Kinë nga kompania gjermane ranë me 7% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Kjo për shkak se po përballet me konkurrencën e automjeteve kineze, veçanërisht me kompaninë BYD që prodhon automjete elektrike. Kjo e fundit përbën kërcënim edhe për tregun europian.

Sipas CEO-s së Volkswagen, synimi i kompanisë që ai drejton është ulja e kostove.

Planet e Volkswagen për uljen e kostove do të kenë përballje të fortë nga sindidatat e punonjësve. IG Metall, sindikata më e fuqishme në Gjermani, u zotua të luftojë për të mbrojtur vendet e punës dhe fajësoi kompaninë për keqmenaxhim.

/tvklan.al