Pas tri ditësh që u publikua biseda e saj telefonike me Milan Radoiçiç, Mimoza Kusari Lila mori pjesë në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit.
Më pas, ajo nuk afrua fare te foltorja si zakonisht. Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se këtë bisedë nuk e sheh si tradhti kombëtare.
“Mund ta quani në një emër tjetër, ndoshta gabim, ndoshta pakujdesi e saj, mirëpo sa i përket kësaj se çka më tregon mua, kjo është vetëm vazhdimësi dhe vazhdim i tjerrjes së një rasti të para 7-8 muajve, vetëm tash po publikohet në sekuenca qysh po i konvenon dikujt.”
Tha se Radoiçiç ka përjetuar humbjen më të madhe në Kosovë këto dy vitet e fundit.
“Ai ka humb gjithçka që ka pasur në Kosovë falë vendosmërisë së qeverisë për të shpërbërë të gjitha strukturat e tij kriminale duke përfshirë edhe pronat e tij milionëshe.”
Konjufca tha se e përkrah idenë e kryeministrit Albin Kurti që lehtësuesi i dialogut, Miroslav Lajçak, ta dërgojë draft-statutin e Asociacionit në Komisionin e Venecias.
Sipas tij, Kosova nuk ka pasur afat për të shkruar draftin, ndërsa konsideron se BE-ja po dëshiron t’ia marrë kompetencat për hartimin e draftstatutit.
E shefi i deputetëve të LDK-së ka thënë se Kosova e ka humbur mundësinë që ta shkruajë vet draftin për Asociacionin. Pikërisht çështja e Asociacionit është bërë mollë sheri që Kosova të humbë shansin të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.
Tv Klan