Në redaksinë e emisionit “Stop” në Tv Klan kanë ardhur me dhjetëra denoncime për Suzana Isufajn me pretendimin se ajo përmes dokumentave të parregullta ka përfituar prona që nuk i takojnë. Silvi Golja, një i afërm i Suzanës, dëshmon nga Kanadaja se Isufaj e ka dhënë pronën e babait të tij me qira në vitin 2021 mbi bazën e një prokure që i ati Agron Golja i kishte dhënë Suzanës për përfaqësim në gjyqe, por që kishte skaduar në vitin 2017.

Të ardhurat e qirasë së pronës, ku janë 25 bashkëpronarë i merr vetëm Suzana Isufaj. “Stop” gjeti një vendim të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Gjirokastër, që i jep 10 milionë lekë të vjetra Suzanës, por kjo e fundit nuk i ka vënë në dijeni bashkëpronarët.

Emisioni kontaktoi me Suzana Isufajn, e cila u shmang nga përgjegjësia.

Suzana Isufaj: Jo, jo! Nuk është kjo e vërteta. Më jep një email, të t’i nis dokumentat unë ty se si është e vërteta. Nuk është pronë e gjyshit të atij.

Gazetari: Po pse është emri i z. Agron te kontrata e qirasë?

Suzana Isufaj: Nuk e di si, qysh, tek por ajo pronë nuk është në emër të gjyshit të Agronit.

Gazetari: Unë kam kontratën e qirasë këtu znj. Suzana dhe është emri i Agronit. Tani pse e ka emrin ai kur nuk ka pronën?

Suzana Isufaj: Atëherë, do të vij unë, të ta sqaroj në një moment tjetër.

Gazetari: Domethënë nuk ke një përgjigje?

Suzana Isufaj: Kaq është koha për mua! Bëj çfarë të duash! Mirupafshim…!

“Stop” u paraqit edhe te noterja Violeta Sulkaj, e cila ka bërë kontratën e qirasë në emër të Suzanës me prokurë të skaduar. Noterja thotë se kontratën e ka bërë ndihmësja e saj, që kishte filluar punë prej pak kohësh.

Noterja Violeta Sulkaj: Për mua është një gjë rutinë, një kontratë qiraje, që e bëjnë vajzat dhe është standarde, janë gjana pastaj…

Gazetari: S’e ka parë prokurën e skaduar ajo vajza?!

Noterja Violeta Sulkaj: Po s’e ka parë ajo vajza, se në atë vit, kur është bërë kontrata, 2021, një vit kishte, që kishte ardhur këtu…

Një tjetër denoncim vjen nga Mimoza Muça, e cila thotë se përmes një vendimi të Gjykatës së Sarandës u ka marrë një pjesë të konsiderueshme të pronës së përbashkët, 134 familjeve. Suzana kishte gjetur fijet me një prej gjyqtarëve, Sokol Pine që bëri Suzanën pronare. Vetë zonja Isufaj nuk di si të justifikojë faktin sesi ndikoi në montimin e këtij vendimi.

Gazetari: Si ta ka bërë ai akt- eksperti, se kjo është pronë private? Si ta kanë dhënë ty…? Si e kanë dhënë gjyqtarët? Si nuk e kanë verifikuar…?

Suzana Isufaj: Shkruaje ti! Pyetje me titra të mëdha, si e kanë dhënë këtë gjyqtarët?

Gazetari: Ti, ti më thuaj, si e kanë dhënë, se ti e dije këtë, që ishte në emër të Shina Mios?

Në përballjen e Suzana Isufajt me një përfaqësi të 134 pronarëve, ku preket zona e Soronesë dhe nga dokumentat dhe faktet vetë Suzana pranon faktin, që kemi të bëjmë me dy prona të ndryshme, njëra në Sorone e Angonatëve dhe tjetra Sorone Qinurio, që i bie të jetë Soroneja e re, ose prona e vërtetë e Suzana Isufajt dhe fisit të saj.

Fatos Angoni: Me durim, se as të jap prona, as ta heq pronën, e kundërta as s’mund të ma marrësh, as s’mund të ma falësh dot…Vendimi 847/2018 i Gjykatës Sarandë, i lënë në fuqi me vendimin 145/2019 Gjykatës Apelit Gjirokastër, bazohet në vendimin e ekspertit Kosta Malo. Eksperti na bën të ditur, që kjo plan vendosje, është bërë sipas dokumentit “lista e parcelave pyjore të Prefekturës Gjirokastër” me këto të dhëna: emri dhe pylli, katundi afër tij. Si e gjeti eksperti Kosta Malo, se ku binte ky pyll i Soronesë, vetëm me një të dhënë të një liste pyjesh, se ndodhet afër fshatit Qenorio, pa asnjë tregues kufitar veri-jug-lindje-perëndim të tij. Hipotekë për 2400 e ca franga ari, i 1940-ës…

Gazetari: Sa bukur e përdor ti vendimin e Sokol Pinës…!

Suzana Isufaj: S’ta kam zënë me gojë fare unë…

Gazetari: Po ta zura unë, pra..

Suzana Isufaj: Unë të kam thënë ty, që ka dalë ky vendim në bazë të këtyre dokumentave…

Gazetari: Jo, jo, dokumenti ka dalë në bazë të akt-ekspertit të Kosta Malos, dhe Kosta Malos i erdhi “shtet” nga Kadastra Sarandë, ndërkohë që ishte pronë private. D.m.th,dmth unë me sa kuptoj tani, nuk  kemi të njëjtat emra, Sorone këtu me këtë…

Mimoza Muça: Jo, janë të tjera toponime Soroneja jonë me Soronenë e Zanës, ka Sorone e Xarrës..

Fatos Angoni: Quhet Sorone e Re…  

Suzana Isufaj: Unë s’kam ndonjë problem…

Mimoza Muça: Quhet Sorone e Xarrës ajo aty, ke malin e Milesë, ke antenat, ke gjithçka…

Suzana Isufaj: Dhe unë po të them, të më marrësh mua me sinqeritetin më të madh, mua më duken të gjitha njësoj, unë nuk e njoh zonën…

Gazetari: Kemi të bëjmë me dy gjëra të ndryshme…A e kupton?

Suzana Isufaj: Mirë mo, mirë! Unë jam dakord…/tvklan.al