Skënderbeu nuk ka menduar gjatë për të gjetur pasuesin e Ivan Gvozdenovic në pankinë. Korçarët larguan teknikun serb për shkak të rezultateve negative dhe tashmë timoni do i besohet një emri të njohur të trajningut shqiptar.
Bëhet fjalë për Ernest Gjokën që rikthehet në Superligën shqiptare pas shumë sezonesh. Menjëherë pas dorëheqjes së serbit nga pankina korçare, Takaj kontaktin e parë e ka patur me trajnerin Gjoka që ka drejtuar disa ekipe mbarëshqiptare dhe palët kanë rënë dakord për të bashkëpunuar së bashku jo vetëm për këtë sezon, por edhe për sezonin tjetër.
Tekniku 54-vjeçar ishte i lirë që prej muajve të verës, ku drejtoi për pak javë skuadrën e Shkupit në Maqedoninë e Veriut. Ernest Gjoka do të prezantohet para mediave këtë të martë, për të nisur menjëherë përgatitjet për sfidën e mesjavës për llogari të javës së 16-të. Korçarët sfidojnë Tiranën, aty ku pritet që edhe tekniku Gjoka të drejtojë nga pankina ndaj ish-skuadrës së tij.
Klan News