Java e 20-të në Superligë, u mbyll me dy ndeshje spektakolare dhe shumë të luftuara.

Partizani nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 ndaj Skënderbeut. Të kuqtë e kryeqytetit i shkuan shumë afër fitores, por u barazuan vetëm në fund.

Bintsouka zhbllokoi sfidën në minutën e 43-të, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë. Në të dytën korçarët u shfaqën më kërkues dhe në minutën e 93-të, u shpërblyen me gol. Ishte Ardit Nikaj, i cili përfitoi nga një top i marrë në zonë, për të vendosur baraspeshën.

Ky barazim e ngjit Partizanin në krye të renditjes me 34 pikë, po aq sa edhe Dinamo me Vllazninë. Ndërkohë Skënderbeu mbetet i fundit me vetëm 16 pikë të grumbulluara.

Në sfidën tjetër, Elbasan triumfoi me përmbysje ndaj Teutës, me rezultatin 3-1. Arsen Lleshi ishte heroi i verdhebluve, me një tripletë golash të shënuar në pjesën e dytë. Fraksioni i parë u mbyll me avantazhin minimal të durrsakëve, pas golit të Mario Beshirajt.

Me këtë fitore, Elbasani mban vendin e pestë me 28 pikë, ndërsa Teuta renditet në vendin e gjashtë me 23 pikë. /tvklan.al