Fitorja 4-1 ndaj Gjeorgjisë ishte spektakolare për skuadrën e Luis de la Fuente, që konfirmohet me sulmin e dytë më të mirë të Europianit. Deri më tani, iberikët kanë shënuar 9 herë, kundrejt 10 të Gjermanisë, ku një tjetër fakt është se te Spanja dijnë të shënojnë të gjithë.
Plot 7 futbollistë kanë gjetur rrugën e rrjetës, falë edhe Lamine Yamal, njeriut-asist në këtë Europian. Lojtari më i ri në historinë e kompeticionit asistoi në dy gola përballë Gjeorgjisë për t’u ngjitur në kuotën e 4 të tillëve në 4 ndeshje, duke barazuar Ronaldon e Europianit të vitit 2004.
16-vjeçari është padyshim ylli i kësaj Spanje, pasi ka krijuar 6 shanse për gol, duke qënë kërcënim kryesor për çdo kundërshtarë. Fenomenal edhe 21-vjeçari, Niko Uilliams. Sulmuesi i krahut u bë lojtari i vetëm që shënon, asiston dhe kryen 100% të pasimeve të sakta në 90 minutat në fushë, diçka që ndodh për herë të parë në historinë e Europianit.
Tashmë misioni për Spanjën është thyerja e Gjermanisë, me 90 minutëshin e kësaj të premte që vendos kundër njëra-tjetrës dy kombëtaret me të titulluara të kontinentit.
Klan News