Shqipëria ka një strategji afatgjatë për t’i dhënë përparësi tranzicionit energjetik, ku përfshihet rritja e kapacitetit të energjisë së rinovueshme. Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali mori pjesë në Konferencën e 29-të të OKB për Ndryshimet Klimatike, COP 29, në Baku të Azerbajxhanit. Ajo theksoi investimet e bëra nga vendi ynë që aktivitetet prodhuese të bazohen në energji 100 për qind të rinovueshme.

“Shqipëria i ka dhënë përparësi tranzicionit energjetik, si një faktor kyç i reduktimit të emetimeve. Aktivitetet prodhuese të vendit bazohen në energji 100 për qind të rinovueshme. Strategjia jonë afatgjatë përfshin rritjen e kapacitetit të energjisë së rinovueshme, duke vënë theksin tek energjia diellore dhe ajo e erës. Në vitin 2023 Shqipëria u bë një eksportuese neto e energjisë së prodhuar në vend përmes hidrocentraleve dhe shpalli Lumin Vjosa si Parkun e parë Kombëtar të Lumenjve të Egër në Evropë, një hap novator që promovon praktika të zhvillimit të qëndrueshëm, ruan ekosistemet jetike dhe promovon turizmin miqësor ndaj mjedisit, i cili sjell përfitime për komunitetet vendore”. 

Në panelin “Roli i parlamenteve në realizimin e angazhimeve për klimën”, Spiropali solli në vëmendje punën e Shqipërisë për kthimin e objektivave klimatike në masa ligjore.

“Kuvendi i Shqipërisë ka luajtur një rol të përcaktues për kthimin e objektivave klimatike në masa ligjore. Ligjet dhe ndryshimet e fundit kanë forcuar kuadrin qeverisës mjedisor të Shqipërisë, duke siguruar mbikëqyrje më të fortë rregullatore dhe llogaridhënie. Kuvendi është  angazhuar në formësimin e politikave të klimës, duke lehtësuar bashkëpunimin ndërministror dhe duke mbikëqyrur progresin e zbatimit të objektivave kombëtare për ndryshimet klimatike”.

Para pjesëmarrësve në konferencën për Ndryshimet Klimatike, kryeparlamentarja tha se Shqipëria mbetet e angazhuar për të kontribuar në përpjekjet globale për klimën sipas Marrëveshjes së Parisit.

Klan News