Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali mori pjesë në Konferencën e 29-të të OKB për Ndryshimet Klimatike, COP 29, në Baku të Azerbajxhanit. Spiropali theksoi investimet e bëra nga vendi ynë që aktivitetet prodhuese të bazohen në energji 100 për qind të rinovueshme.

Spiropali solli në vëmendje punën e Shqipërisë për kthimin e objektivave klimatike në masa ligjore.

Kryeparlamentarja tha se Shqipëria mbetet e angazhuar për të kontribuar në përpjekjet globale për klimën sipas Marrëveshjes së Parisit.

Elisa Spiropali, Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë: Është një çështje nderi të kontribuojmë në dimensionin parmalentar të COP29. Kjo tregon dedikimin tonë për të ruajtur planetin. Këto qëllime dhe objektiva fisnike apelojnë për përgjigjen tonë dhe ne jemi këtu për të shprehur angazhimin tonë. Të konsolidojmë kuadrin ligjor përmes miratimit të legjislacionit që mbështet zbatimin e objektivave të KKP dhe planveprimeve për klimën, të garantojmë mbështetje financiare për masat e zbutjes dhe përshtatjes ndaj klimës dhe të mbikqyrim progresin e qeverisë në përmbushjen e angazhimeve të KKP. Të forcojmë dimensionin ndërkombëtar përmes nxitjes së bashkëpunimt ndërkombëtar për ndryshimet klimatike përmes rrjeteve dhe dialogëve ndërkombëtare.

Ekonomitë më të mëdha janë edhe prodhuesit edhe ndotësit më të mëdhenj të mjedisit dhe shkaktarët më të mëdhenj të ndryshimeve klimatike. Megjithatë ata janë përgjegjësit më të mëdhenj për të ndryshuar dhe përmirësuar situatën ne duhet të ndalojmë së qëni të mësuar me situatën ku artikulojmë fjalë të bukura, por praktikisht nuk bëjmë asgjë, dhe vazhdjmë të ndikojmë tek klima, të ndotim mjedisin dhe të vrasim planetin tonë. Duhet të veprojmë dhe jo vetëm të flasim. Ne nuk jetojmë në një botë ideale, por në një botë reale dhe duhet të sillemi si bij të planetit dhe jo si pronarë të tij.

Shqipëria mbetet e angazhuar për të kontribuar në përpjekjet globale sipas Marrëveshjes se Parisit duke i kthyer ambiciet tona në veprime të prekshme. Vitet e fundit kemi zbatuar disa masa për të siguruar që kontributet tona të jenë në përputhje si me objektivat aktual të klimës ashtu edhe me ambiciet tona të ardhshme për vitin 2025.

Shqipëria i ka dhënë përparësi tranzicionit energjetik, si një faktor kyç i reduktimit të emetimeve. Aktivitetet prodhuese të vendit bazohen në energji 100 për qind të rinovueshme. Strategjia jonë afatgjatë përfshin rritjen e kapacitetit të energjisë së rinovueshme, duke vënë theksin tek energjia diellore dhe ajo e erës. Në vitin 2023 Shqipëria u bë një eksportuese neto e energjisë së prodhuar në vend përmes hidrocentraleve dhe shpalli Lumin Vjosa si Parkun e parë Kombëtar të Lumenjve të Egër në Evropë, një hap novator që promovon praktika të zhvillimit të qëndrueshëm, ruan ekosistemet jetike dhe promovon turizmin miqësor ndaj mjedisit, i cili sjell përfitime për komunitetet vendore. 

Kuvendi i Shqipërisë ka luajtur një rol të përcaktues për kthimin e objektivave klimatike në masa ligjore. Ligjet dhe ndryshimet e fundit kanë forcuar kuadrin qeverisës mjedisor të Shqipërisë, duke siguruar mbikëqyrje më të fortë rregullatore dhe llogaridhënie.Kuvendi është angazhuar në formësimin e politikave të klimës, duke lehtësuar bashkëpunimin ndërministror dhe duke mbikëqyrur progresin e zbatimit të objektivave kombëtare për ndryshimet klimatike.

/tvklan.al