Pas lajmit se Biden ka dalë në epërsi dhe pas parashikimeve se nëse ai merr Pennsylvania do të jetë fitues, stafi i fushatës së Trump ka dalë më një deklaratë ku thuhet se: “Këto zgjedhje nuk kanë mbaruar ende”.
Avokati i fushatës së Trump, Matt Morgan, është shprehur me fjalët se “projeksioni i rremë i Joe Biden si fitues bazohet në rezultatet e katër shteteve që janë larg nga numërimet përfundimtare.”
Morgan edhe pse nuk ka treguar asnjë provë, pretendon se fletëvotimet në Georgia janë “kontrolluar në mënyrë të papërshtatshme” dhe se në Pennsylvania, vëzhguesve të zgjedhjeve nuk u është dhënë “qasje e plotë” në numërim, pavarësisht nga urdhri i një gjykatësi që u kishte lejuar atyre akses të mëtejshëm.
Morgan gjithashtu kundërshton që Arizona-n do ta mbajë Biden, siç është thënë në media dhe pretendon se “mijëra” vota janë hedhur në mënyrë të parregullt në Nevada.
“Biden po mbështetet në këto shtete, por sapo zgjedhjet të jenë përfundimtare, Presidenti Trump do të rizgjidhet,” shtoi ai.
Deri tani, stafi nga fushata e Trump nuk ka ofruar asnjë provë që konfirmojë këto pretendime për mashtrim në zgjedhje./tvklan.al