Kolegjet dhe universitetet amerikane kanë muaj që diskutojnë për mënyrën më të sigurtë të mësimdhënies duke ndryshuar disa herë planet pas shtimit të rasteve me koronavirus në disa shtete. Me më pak se katër javë nga fillimi i vitit të ri akademik, situata e paqartë po rrit ankthin për studentët e huaj që ende nuk kanë ardhur. Disa udhëzime të reja të Agjencisë Federale të Imigracionit (ICE), dhe ngadalësimi i procedurës së vizave nga ambasadat amerikane e bëjnë situatën e tyre edhe më kaotike. Kolegia Rudina Dervishi bisedoi me tre studentë shqiptarë lidhur me sfidat me të cilat ata po përballen gjatë këtij rrugëtimi.

Gred Braho e kishte imagjinuar ndryshe ditën e parë të shkollës në universitetin prestigjoz të Harvardit.

“Unë faktikisht kisha planifikuar që të shkoja në Amerikë për herë të parë këtë gusht, kisha planifikuar shumë gjëra. Kisha planifikuar eksperiencën time, javën time të parë në Harvard, pjesën e orientimit, njohjen me shoqërinë e re, edhe kuptohet që u zhgënjeva pak, pasi nuk mund të shkoj atje”, i thotë Gredi Zërit të Amerikës.

Udhëzimi i ri i Agjencisë Federale të Imigracionit (ICE) nuk i lejon studentët e rinj të huaj, që do të ndjekin klasat vetëm online, të marrin viza për të hyrë në Amerikë, të paktën për semestrin e parë.

Udhëzimi i ri, megjithëse i papritur, prek një numër më të vogël studentësh. Një udhëzim i mëparshëm i Agjencisë Federale të Imigracionit që kërkonte largimin nga vendi të të gjithë studentëve të huaj për sa kohë klasat do të ishin vetëm virtuale, u anulua kur qindra universitete mbështetën Harvardin dhe Institutin e Teknologjisë në Masaçusets dhe e sfiduan vendimin në gjykatë.

“Korrigjimi që u bë (në rregullore) në 14 korrik ishte si të thuash një lehtësim shumë i madh.// Ne kemi problem vetëm me ata studentë që nuk mund të marrin vizën, për shkak se ambasadat amerikane në vende të ndryshme akoma nuk kanë filluar aktivitetin, pra që të japin viza”, i tha Zërit të Amerikës, Lefter Daku, zëvendës dekan i financave në Universitetin Virxhinia Tek.

Ori Hoxha është pranuar të ndjekë studimet për një program pasuniversitar në MIT. Universiteti i tij ka vendosur që klasat në semestrin e vjeshtës të jenë të kombinuara, në kampus dhe online. Por në se nuk do të arrijë të marrë vizën në kohë, ndjekja e studimeve për Orin do të vështirësohej.

“Klasat janë në orare që kur llogarit diferencën e zonave nuk mund të ndiqen më virtualisht nga Shqipëria pa llogaritur këtu edhe faktin që masteri im shkencor përshembull kërkon edhe eksperienca në laborator që duhet të jesh aty në person për të kryer detyra apo projektet e numërta. Kështu barriera për ta ndjekur programin me sukses, vazhdon e rritet gjithmonë e më shumë”.

“Një nga arsyet kryesore përse dua t’i vazhdoj studimet në Shtetet e Bashkuara është se dua të çoj në fund ëndrrën e babait, dua t’ja realizoj atë ëndërr që ai kishte për mua”, thotë tudent i vitit të tretë në universitetin City College të Nju Jorkut Arbis Vraja.

Për të situata është më komplekse, pasi iu desh të ndërpriste studimet në prill pasi i ati, që kishte shkuar në Nju Jork për ta vizituar, u prek nga koronavirusi dhe ndërroi jetë. Pas gjithë këtyre humbjeve, Arbis po përpiqet të sqarojë situatën me këshilluesit e tij akademikë për të ditur se si do t’i vazhdojë studimet.

Studentëve u është dhënë në disa raste opsioni për ta shtyrë vitin shkollor. Megjithatë jo shumë universitete e kanë inkurajuar këtë qasje për shkak të ndikimit të madh që pagesat e studentëve të huaj kanë për financat e tyre.

“Kjo nuk është stimuluar shumë sepse ka një impakt shumë negativ në buxhetin vjetor të universitetit Virxhinia Tek. Për shkak të numrit të madh të studentëve të huaj impakti është shumë domethënës për vitin që vjen dhe situata është shumë e vështirë për tu parashikuar”, thotë Lefter Daku, zëvendës dekan i financave në universitetin Virxhinia Tek.

Gredi, ka vendosur të fillojë klasat online në fund të gushtit duke shpresuar se një ditë do të jetë në kampusin e Harvardit.

“… mendoj edhe anën tjetër që duhet vënë siguria në rradhë të parë. Kështu që kur i mendoj të gjitha këto them që edhe sikur të bëj një semestër ose dy semestra online mjafton që unë atje do të shkoj gjithsesi”.

Ori është optimist se situata mund të ndryshojë shpejt.

“Kaq shpejt sa po ndryshojnë gjërat këto muajt e fundit, unë vazhdoj të qendroj me shpresë. Pse vetëm ndryshimet negative të jenë të shpejta, pse mos të jenë edhe ato pozitive të shpejta? Kështu që shpresoj akoma se do të jem i aftë ta ndjek semestrin duke filluar nga gushti”.

Kolegjet amerikane presin të kenë një rënie të madhe në numrin e studentëve që vijnë nga jashtë në mes të pandemisë dhe një ngadalësimi në përpunimin e vizave.