Një stuhi e fortë ere përfshiu pjesën më të madhe të territorit këtë të hënë. Për pasojë në det është ndaluar lundrimi i mjeteve të vogla dhe atyre të peshkimit.

“Era ka momente të veçanta që është edhe mbi 70 km në orë, flasim në brigjet detare”, tha sinoptikania Lajda Porja.

Jo vetëm erë, por stuhia ciklonare që ka goditur vendin tonë u shoqërua këtë të hënë edhe me rrebeshe shiu. Më problematike situata ishte në Durrës ku stuhia e shiut shkaktoi edhe përmbytje.

Siç shihet edhe nga pamjet disa rrugë të qytetit për pak orë u mbuluan nga uji duke vështirësuar kështu qarkullimin e mjeteve, por edhe këmbësorëve.

Si pasojë e përmbytjeve që shkaktoi shiu në Durrës, FSHF anuloi takimin e futbollit parashikuar këtë hënë mes Dinamo City dhe Teutës që ishte parashikuar të luhej në “Niko Dovana”.

Reshjet e shiut u zhvendosën edhe në Tiranë, por me një intensitet më të ulët. Sinoptikanët parashikojnë një situatë problematike edhe në veriperëndim të vendit.

“Rrebeshe shiu, stuhi detare, herë pas herë në formë shtrëngatash, në Shkodër, Lezhë, Durrës, Elbasan, do ketë Vlora herë pas here probleme, Gjirokastër, Sarandë”, tha Porja.

Të martën reshjet, por edhe era pritet të dobësohen.

 “Dita e martë, e mërkurë dhe e enjte do ketë reshje më të pakta”, tha Porja.

E premtja dhe fundjava rezervojnë më shumë kthjellime në vend.

Tv Klan