Ky filmim tregon momentet e tmerrit që përjetuan kalimtarët dhe shoferët në qytetin Hualien në lindje të Tajvanit, kur para këmbëve u shemben ndërtesat, si pasojë e lëkunjdeve të fuqishme të tërmetit me magnitudë 7.2 Rihter që goditën ishullin mëngjesin e kësaj të mërkure.

Deri më tani përllogariten 9 të vdekur, 946 të plagosur dhe 152 persona të mbetur mes rrënojave. Ndërsa janë shpëtuar 75 shtetas të bllokuar në tunelet rrugore. Më i godituri është Hualieni, pranë të cilit u regjistrua edhe epiqendra e atij që konsiderohet si tërmeti më i fuqishëm i këtij çerek shekulli. Lëkundjet shkaktuan edhe rëshqitje të mëdha toke. Lëkundjet ishin aq të forta sa paralizuan për pak minuta edhe qarkullimin e automjeteve.

Fuqia e lëkundjeve dëshmohet edhe nga video amatore që qarkullojnë në rrjetet sociale. Banorët nga frika nuk po qëndrojnë në shtëpi, ndërsa autoritetet kanë vendosur çadra për të fjetur dhe kaluar natën jashtë. Ndërsa ka nisur prishja e godinave të rrëzuara nga tërmeti më i fuqishëm i shënuar në këto 25 vite.

Tv Klan