Ky filmim tregon momentet e tmerrit që përjetuan kalimtarët dhe shoferët në qytetin Hualien në lindje të Tajvanit, kur para këmbëve u shemben ndërtesat, si pasojë e lëkundjeve të fuqishme të tërmetit me magnitudë 7.2 Rihter që goditën ishullin mëngjesin e kësaj të Mërkure.
Deri më tani përllogariten 9 të vdekur, mbi 700 të plagosur dhe dhjetëra të zhdukur mes rrënojave. Më i godituri është Hualieni, pranë të cilit u regjistrua edhe epiqendra e atij që konsiderohet si tërmeti më i fuqishëm i këtij çerek shekulli. Lëkundjet shkaktuan edhe rrëshqitje të mëdha toke.
Lëkundjet u ndjenë të fuqishme edhe në kryeqendrën e ishullit Tajpei, 138 kilometra në perëndim të epiqendrës. Lëkundjet ishin aq të forta sa paralizuan për pak minuta edhe qarkullimin e automjeteve.
Fuqia e lëkundjeve dëshmohet edhe nga video amatore që qarkullojnë në rrjetet sociale. Autoritetet ishullore shpallën gjendjen e emergjencës nga katastrofat, ndërsa ekipet e emergjencës janë në luftë me kohën për t’u ardhur në ndihmë të bllokuar nëpër ndërtesat e dëmtuara. Lëkundjet u ndjenë edhe në qytetet perëndimore të Kinës.
Tv Klan