Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka vijuar tutrin e tij të takimeve me rrjetin e vullnetarëve në qytetin e Rrëshenit. Me moton “Ndryshimi vjen nga bashkimi përtej së majtës e së djathtës”, kreu i opozitës është shprehur, se  zgjidhje e vetme për ta ndarë vendin nga varfëria është ndryshimi i qeverisjes.

Edi Rama:Në rast se Shqipëria është kjo që ne e kemi sot, kaq e varfër, kaq e papunë, kaq e pashpresë, kaq e prapambetur, ndërkohë që ne nuk kemi asgjë më pak se të tjerët për të qenë njësoj si të tjerët. Kjo në radhë të parë lidhet me politikën, duhet të ndryshojmë politikën për të ndryshuar qeverisjen dhe duke ndryshuar qeverisjen ne do të ndryshojmë Shqipërinë, do ta bëjmë si gjithë Europa.”

Duke u fokusuar në premtimet e pambajtura të qeverisë Berisha, kryetari socialist përmendi si dëshmi të këtij fenomeni, kapjen e shtetit nga korrupsioni që sipas tij është më i lartë se 4 vjet më parë.

Edi Rama:Sot Shqipëria është më e kapur nga korrupsioni se katër vjet më parë dhe katër vjet të tjera si këto nuk i falen askujt ndër ne, sepse ky është atdheu ynë dhe atdheu ynë nuk është prona e kryeministrit dhe një oborri ministrash, ku janë përqendruar të gjitha fijet e korrupsionit që thith përditë energji dhe të ardhura nga organizmi i shoqërisë sonë, po është pasuria jonë e përbashkët dhe borxhi që ne u kemi fëmijëve tanë. Ky është atdheu ynë.”

Ne e duam atdheun tonë, u ka thënë Rama qytetarëve të Rrëshenit, ndaj dhe do ta ndryshojmë Shqipërinë, pasi nuk ka arsye të zvarritemi më dhe të mos jemi si të gjithë evropianët./tvklan.al

Gazetar: Neki Feta