Antonio Buonocunto është një aktor i ri italian i cili së fundmi ka përmbyllur një projekt të rëndësishëm, të transmetuar nga “Rai”, filmin “Filomena Marturano”. Kjo është hera e tij e parë në Shqipëri të cilën e ka njohur fillimisht përmes rrëfimeve të të atit.
I ftuar në “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Antonio shpreh përshtypjet e tij të para dhe dëshirën për t’u rikthyer dhe për të ndenjur më gjatë.
Antonio Buonocunto: Përvoja ime me Shqipërinë daton që prej një viti, kur babai im erdhi këtu dhe u dashurua me këtë shtet të mrekullueshëm. Më ka folur gjithmonë për Shqipërinë dhe më ka thënë se një ditë unë duhej ta vizitoja këtë vend. Realisht, italianët dhe sidomos napolitanët, janë të ngjashëm me shqiptarët. Ngjajmë më shumë nga ç’duket. Më ftoi që të vija. Erdha dhe më duhet të them se ne jemi vërtet shumë të ngjashëm dhe se Shqipëria është një vend shumë i bukur. Është me të vërtetë shumë i bukur.
Ardit Gjebrea: Kur ke mbërritur?
Antonio Buonocunto: Kam ardhur dje.
Ardit Gjebrea: Për herë të parë?
Antonio Buonocunto: Është hera ime e parë.
Ardit Gjebrea: Dhe?
Antonio Buonocunto: Dua të rikthehem. Tani ndodhem në Romë për arsye pune. Duhet të rikthehem shumë shpejt. Sapo të mbaroj punë, sepse jam duke filmuar diçka tjetër, do të rikthehem në Shqipëri. Do të qëndroj rreth një muaj, sepse dua ta zbuloj këtë vend. Në fund do të të tregoj një sekret të vogël.
Antonio e pati të qartë rrugëtimin e tij drejt aktrimit që në moshën 8-vjeçare. Ai iu përkushtua menjëherë dhe zgjodhi një profesion që ka shumë disiplinë, por edhe sakrifica.
Antonio Buonocunto: Faktikisht, arrita të kuptoja se zgjedhja ime ishte një zgjedhje tejet e vështirë, sepse më është dashur të sakrifikoj shumë gjëra. Pas pak kohësh kuptova se kisha sakrifikuar fëmijërinë time. Kur shokët e mi dilnin dhe kishin të dashura ose kur shkonin për të ngrënë ndonjë picë, unë isha në teatër duke bërë prova ose në shtëpi që mësoja skenarin. Ishin skenarë voluminozë, sepse e kam nisur me Shekspirin. Nuk e nisa me diçka të lehtë. Me kalimin e viteve kuptova që kisha sakrifikuar shumë.
Ardit Gjebrea: Nga kjo që the deri tani kuptova që ke pak hidhërim, pak pendesë nga vitet që të kanë ikur për të gjetur vajzën e zemrës ndoshta, atë të parën dhe meqenëse the që edhe shokët e tu kishin shoqet e tyre, shkonin, dilnin dhe ti punoje. Po pse, në çfarë moshe e kishe ti shoqen e parë?
Antonio Buonocunto: Të dashurën e parë e kam pasur kur kam qenë rreth shtatëmbëdhjetë vjeç.
Ardit Gjebrea: E doje më përpara?
Antonio Buonocunto: Jo, jo. Ne jemi italianë. Unë jam napolitan dhe jemi shumë të nxituar. Nëse bën një shëtitje në Itali dhe vjen në Napoli sheh djemtë 11-vjeçarë të kapur dorë për dore me vajzat.
Ardit Gjebrea: Mos e thuaj këtë sepse kam një vajzë 15-vjeçare./tvklan.al