Ticiana Kushi është shqiptarja që në Shkurt të 2022-shit, së bashku me familjen e saj kanë marrë vendim që të largohen nga Shqipëria drejt Honolulusë. Në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan dhe me një sfond shumë larg ditëve të dimrit, Ticiana ka treguar shumë detaje nga jeta e saj në Hawaii.

Ticiana Kushi, Honolulu, Hawaii: Jam në Honolulu. Ne kemi ardhur këtu në Shkurt 2022, jam me bashkëshortin, fëmijët, momentalisht ka ardhur dhe babai im, po jeton me ne pak kohë. Nuk është se ka qenë plan për ne, donim që të zhvendoseshim nga Shqipëria dhe po shikonim të gjithë mundësitë. Kemi qëndruar për pak muaj në Evropë. Koha dhe moti është një faktor i rëndësishëm, ne e duam diellin dhe kohën e bukur. Në mendjen time kisha pikturuar një vend që do të ishte 365 ditë të vitit verë ose pranverë. Është perfekte. Ohao është një ishull i madh, ka një miks kulturash, kemi filluar të njihemi me njëri-tjetrin. Mua nuk më duket se jetoj në ishull me thënë të drejtën. Ka komunitet shqiptar në Hawaii, në 6 muajt e parë ishte pak e vështirë. Tani kemi formuar një komunitet shqiptar jo më pak se 20 veta këtu.

Për Ticiana Kushin, 2 kanë qenë arsyet kryesore pse ajo dhe familja e saj kanë vendosur që të largohen nga Shqipëria.

Ticiana Kushi: Ne kemi një kafene. Një miku jonë familjar kishte këtë mundësi dhe duke biseduar një natë, ne ishim pro kundrejt çdo ideje dhe sapo dëgjuam Hawaii, direkt thamë po. Në Shqipëri, burri im ka punuar në bankë, prej 7 vitesh kam pasur klinikën time dhe ka qenë periudha më e mirë dhe është një gjë që dua ta vazhdoj dhe këtu. 2 kanë qenë arsyet pse jemi larguar: Pjesa shëndetësore, mjekësia dhe arsimi për fëmijët. Në Shqipëri nuk është se vlerësohesh për atë që je. Nëse fëmijët e mi kanë një talent, dua që të vlerësohen dhe të bëhen dikushi në jetë.

Mes të tjerash, Ticiana rrëfen gjërat që i pëlqejnë më shumë në Hawaii.

Ticiana Kushi: Një gjë që ne na pëlqen shumë është që çdo të shtunë dhe të dielë, njerëzit kanë qejf që ta shijojnë jetën, këtu janë parqet plot. Nuk janë shumë për jetën e natës, këtu mund të ketë 2 ose 3 pube. Janë më shumë kundrejt paqes. Më mungon jeta e natës ndonjëherë. Temperatura këtu përgjithësisht shkon 26 deri në 27 gradë. Maksimumi që mund të ulet është 22 ose 23. Asnjë ditë dimër tani për tani. Jam shumë e kënaqur me jetën këtu, të jep një qetësi shpirtërore, vjen në shtëpi nga puna dhe ndihesh i plotësuar.

Por çfarë i mungon Ticianës nga Shqipëria?

Ticiana Kushi: Më mungon familja dhe një gjë tjetër është ushqimi. Më mungon aq shumë sa për një byrek do të kthehesha. Këtu e pëlqejnë shumë kuzhinën aziatike dhe pjesa se si e gatuajnë mishin është ndryshe. Përdorin të ëmblën dhe të kripurën në pjatë. Unë ruaj traditën shqiptare, shumë rrallë hamë jashtë.

/tvklan.al