OBSH: Nuk e mban larg virusin as hudhra dhe as pijet alkoolike
Frika që po krijon numri i lartë i viktimave dhe përhapja me ritme të shpejta e koronavirusit në gjithë botën ka përhapur edhe shumë informacione të pavërteta për mënyrat e mbrojtjes nga virusi.
Ndër këshillat më të përhapura në rrjetet sociale është konsumi i hudhrës, që në disa artikujve të mediave të ndryshme konsiderohet si një ilaç natyror kundër viruseve. Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se edhe pse janë të njohura vetitë antimikrobiale të hudhrës, nuk ka asnjë evidencë shkencore deri më tani se lufton koronavirusin.
Në rrjetet sociale flitet po ashtu për dioksidin e klorinës, që lufton koronavirusin. Njihen efektet e këtij minerali kundër qelizave kanceroze apo baktereve të ndryshme. Megjithatë Administrata e Barnave në Shtetet e Bashkuara nuk e ka certifikuar si një mënyrë efektive kundër koronavirusit.
Dezinfektantët e duarve të prodhuar në mënyrë vetiake në shtëpi mund të jenë të rrezikshëm për lëkurën. Kundër koronavirusit përdoren solucione që në përbërje kanë rreth 60-70% alkool, por në kushte shtëpie këto solucione nuk i nënshtrohen proceseve të tjera ku i shtohen përbërës të tjerë kimikë që mbrojnë lëkurën.
Konsumi i ujit çdo 15 minuta ndihmon në hidratimin e trupit, por nuk ndalon prekjen e mushkërive nga koronavirusi. Po ashtu edhe konsumimi i rregullt i pijeve alkoolike si rakia nuk ka prova se mund të dezinfektojë fytin dhe të shmangë infektimin nga ky virus.
Qëndrimi në rrezet e diellit po ashtu i sjell benefite shëndetit, por është e paqartë deri më tani nëse është i efektshëm për eliminimin e virusit.