Blloku i banimit në hyrje të Tiranës, që njihet ndryshe si “lagjja e Treshit”, po merr formë të re falë investimeve nga Bashkia e Tiranës. Në inspektimin për rehabilitimin e zonës, kryebashkiaku Erion Veliaj theksoi se ka ardhur koha që edhe cepi më fundor i Tiranës të ketë të njëjtat investime.

“Fakti që në të gjithë Tiranën, jemi duke punuar në lagja e fundit e Freskut, lagja e fundit e Treshit, lagja e fundit e Kombinatit dhe lagjet periferike të zonave rurale do të thitë që jemi shtrirë cep më cep. Sigurisht që shumë prej banorëve do të thonë se ka kaluar shumë kohë, në fakt si çdo shtëpi që rregullohet njëherë dhoma e ndenjes pastaj shkohet në të gjitha periferitë,” tha Veliaj.

Veliaj kërkoi mobilizim për të përfunduar punën para Vitit të Ri.

“Më vjen mirë që më në fund edhe ndriçimi Led do ta bëjë të sigurt për një grua, për një zonjë, për një motër, për një nënë që kthehet nga puna vonë ose që do të duhet të përdorë infrastrukturën dhe në orët e natës. Kështu që është një fitore e jashtëzakonshme, më në fund nuk kemi vetëm legalizim, kemi dhe urbanizim. Tani mund të themi vërtet që jetojmë në Tiranë,” u shpreh kryebashkiaku.

Blloku i banimit që i nënshtruar punimeve për rikualifikimin e plotë kufizohet nga rrugët “Mersim Jakupi” deri te aksi “Nikolla Ivanaj”.

Klan News