Vendet bregdetare që lagen nga Deti Mesdhe, ku përfshihet edhe Shqipëria klasifikohen si vendet më të bukura për tu vizituar gjatë 2025 nga revista amerikane e udhëtimeve “Travel off Path”.
Nëse po planifikoni të ikni me pushime këtë vit, veçanërisht gjatë verës, Mesdheu ka të ngjarë të jetë në krye të listës tuaj të dëshirave.
Më tej në shkrim rekomandohen pesë xhevahire të Mesdheut, që ende nuk janë prekur nga mbipopullimi, të cilat ofrojnë temperatura të ngrohta, peizazhe mahnitëse, trashëgimi kulturore dhe, në disa raste, çmime shumë më të lira.
Mes këtyre vendeve është renditur edhe Himara.
“Shqipëria është në afërsi të Italisë, Kroacisë, Greqisë, Malit të Zi dhe është shtëpia e një vendpushimi të mrekullueshëm, Himarës. Një konglomerat fshatrash të vegjël që shtrihen në detin Jon, një nga nënndarjet më pak të njohura të Mesdheut.”-shkruhet në artikull, ku Shqipëria klasifikohet zgjedhja ideale për një arratisje mesdhetare dhe të qetë, pasi ende nuk është pekur nga turizmi masiv.
Vendi me pamjen më mahnitëse në zonë është padyshim Dhërmiu, një fshat me shtëpi të bardha dhe trashëgimi të pasur kulturore. Gjatë këtij udhëtimi nuk duhet të humbisni plazhin e Gjipesë, një perlë me rërë të bardhë, dhe plazhin parajsor të Palasë me detin e kaltër dhe restorantet që ofrojnë ushqime të shumëllojshme.
Riviera Shqiptare është ndër destinacionet më të lira në Europë.
Klan News