Pas 5 vitesh rrugëtimi në Klan Plus, emisioni “Pro Business” me autore dhe moderatore gazetaren e njohur Oljana Maloku nis një epokë të re në ekranin kombëtar të Tv Klan.
Një program që i dedikohet sipërmarrjes dhe ekonomisë, “Pro Business” nis transmetimin nga 8 Shkurti, çdo të shtunë në orën 16:05 në ekranin më të madh shqiptar.
“Pas suksesit në Tv Klan Plus erdhi momenti që me “Pro business” të hapim një dritare edhe më të gjerë për sipërmarrJet dhe ekonominë në ekranin më të madh të shqiptarve, në televizionin kombëtar Klan ku audienca është në nivelet më të larta siç meriton ky sektor”, shprehet autorja e “Pro Business”, Oljana Maloku.
Me një ndërthurje mes terrenit dhe studios, në “Pro Business” gjejnë hapësirë si start up-et ashtu edhe kompanitë e konsoliduara.
“Padyshim kemi në fokus sektorët potencial, turizmi i cili po merr një zhvillim të jashtëzakonshëm, ndërtimi, bujqësia, energjia, teknologjia dhe inovacioni që janë e ardhmja, sektori bankar pa të cilin nuk bëjmë dot, tregtia e shërbimet dhe shumë e shumë sektorë të tjerë”, tha Maloku.
Më një qasje dinamike dhe profesionale “Pro Business” do të vijojë të sjellë analiza të thelluara dhe histori frymëzuese nga bota e biznesit dhe ekonomisë.
“Në rrugëtimin tonë 5-vjeçar, ky format është përqafuar jo vetëm nga biznese vendase, por edhe kompani të huaja. Padyshim nga Kosova por edhe më gjerë, kompani Italiane, Gjermane etj. Kemi qenë aty për sukeset, por dhe për sfidat e tyre në ditët më të vështira”, shprehet autorja e emisionit.
Emisioni do të vazhdojë të transmetohet edhe aty ku hodhi hapat e parë në Klan Plus.
“Çdo të hënë në orën 21:00 dhe çdo të mërkurë në orën 23:00”, thotë Oljana.
Ky format synon të shërbejë edhe si një nxitje për të rinjtë ku mund të marrin modelet më të mira të të bërit biznes.
Tv Klan