Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Shkojnë për të grabitur bankën por bien në darën e policisë. Policia e Tropojës sërisht në aksion ndaj grabitësve të armatosur. Banka e Shtetit ka qënë dje objektivi i 6 shtetasve me automatik dhe maska për të vjedhur shumat e mëdha. Dje në drekë një nga maskat ka hyrë në arkën e Komunës së Tropojës dhe duke kërcënuar arkëtarin kërkoi t’i jepte lekët e ndihmës ekonomike që sapo kishin mbërritur në Tropojë.

Kërcënimeve të maskës arketari i komunës i është përgjigjur me qetësi duke i kërkuar dialog. Por pasi e ka çoroditur me fjalë maskën arketari ka nxjerrë nga poshtë tavolinës së tij një automatik që ja drejtoi kërcënuesit dhe më vonë i hap zjarr. Njeriu me maskë ka hipur në makinë ku e prisnin pesë shokët e tij dhe largohen me të shpejtë.

Pas pak orësh forcat e Policisë së Tropojës i arrestuan ata. Policët nuk kanë vonuar të identifikojnë 6 tropojanët. Rastet e vjedhjeve në arka e Banka në Tropojë janë shtuar gjithnjë e më shumë ku vetëm vjet arka e kursimeve u vodh dy herë./tvklan.al

Gazetar – Eduart Frangaj