Presidenti amerikan Donald Trump vazhdimisht ka premtuar se mund t’i japë fund luftës në Ukrainë. Por një pjesë e ukrainasve janë skeptikë se ai mund ta detyrojë Presidentin rus Vladimir Putin të tërheqë forcat e tij.
Disa analistë i thanë korrespondentes së Zërit të Amerikës në Kiev, Lesia Bakalets, se problemi qëndron në pamundësinë për t’i përafruar qëndrimet e kundërta të Ukrainës dhe Rusisë.
Një javë pas fillimit të mandatit të Presidentit Donald Trump, në rrugët e Kievit, ukrainasit shprehin një mori ndjenjash – shpresë, dëshprim dhe shqetësim, se Ukraina do të lihet vetëm përballë agresionit rus.
“Deklaratat e Presidentit Donald Trump më japin me të vërtetë shpresë se ai do të bëjë çdo përpjekje dhe do ta ndalë agresorin Putin. Duhen bërë lëshime që ushtarët tanë të mos vazhdojnë të vdesin”, tha banori i Kievit, i cili u identifikua vetëm me emrin Volodymyr.
“Çfarëdo marrëveshje që mund të arrihet, nuk ka për të qënë e favorshme për Ukrainën. Do të detyrohemi të bëjmë lëshime”, thotë Lilia, banore e Kievit.
Ndërsa për ukrainasin Nazar, Ukraina “duhet të mbështetet tek forcat e veta dhe jo tek një forcë e jashtme”.
“Administrata amerikane ka plane specifike dhe detyrime ndaj votuesve të saj”, thotë ai.
Që nga periudha e fushatës, Presidenti Trump ka premtuar se do t’i japë fund luftës së Rusisë në Ukrainë. Por nuk ekziston një strategji e qartë se si do ta arrijë ai këtë synim, thotë analisti Mykola Bielieskov.
“Ukraina dhe Rusia kanë qëndrime të ndryshme. Rusia kërkon t’i mbajë territoret e pushtuara dhe dhënien fund të politikës së NATO-s për ta mbajtur derën e hapur për anëtarët e rinj, pra që Ukraina të jetë neutrale. Rusia kërkon kufizime të rrepta të forcave të mbrojtjes së Ukrainës”, thotë ai.
Kërkesa të tilla mund të çojnë drejt shkatërrimit të Ukrainës, thotë analisti Bielieskov.
Për të njohur përvetësimin e territoreve ukrainase në lindje dhe në jug nga Rusia, do të duhej një ndryshim i madh politik.
“Ky ndryshim mund të bëhet përmes ligjeve, apo edhe përmes Kushtetutës, por duhet të kalojë në parlament. Shoqëria ukrainase duhet të vendosë”, thotë ligjvënësja ukrainase Solomiia Bobrovska.
Për profesorin Valerii Pekar, një marrëveshje që do të reduktonte forcat e armatosura e lë Ukrainën të pambrojtur. Ai beson se vetëm çështja e anëtarësimit në NATO është temë diskutimi.
“Po të isha duke negociuar në emër të Ukrainës, do të isha më se i gatshëm të zotohesha që nuk do të anëtarësohemi në NATO për dhjetë vjet. E apra, askush nuk na ka ftuar. Pra mund të premtojmë dhe situata gjeopolitike mund të ndryshojë brenda disa viteve”, thotë ai.
Por problemi qëndron në faktin që për Putinin, një zotim i tillë është i pamjaftueshëm, thotë analisti Bielieskov. Sipas tij, Presidenti Biden kishte bërë përpjekje t’ia shiste Putinit një moratorium për anëtarësimin e Ukrainës në NATO.
“Presidenti Biden i kishte thënë Putinit që gjasat janë gati zero që Ukraina t’i bashkohet NATO-s në një të ardhme të afërt. Putini publikisht e konfirmoi këtë bisedë mes tyre në fund të vitit të kaluar dhe tha se ata nuk janë të kënaqur me kaq”, thotë analisti Bielieskov.
Analisti Bielieskov thotë se pozita negociuese e Ukrainës duhet të përforcohet.
Profesori Pekar është i sigurt se Putini do t’i vazhdojë sulmet.
“Putini mendon se gjërat po shkojnë mirë dhe nuk do të ulet për të negociuar. Presidenti Trump po premton ndryshime të mëdha në çmimin e karburanteve. Ekonomia ruse do të dëmtohej rëndë nëse çmimet e karburanteve ulen shumë, por për një veprim të tillë nevojitet bashkëpunimi i shumë lojtarëve”, thotë ai.
Presidenti Trump thotë se ai do të flasë së shpejti me Presidentin Putin për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Ai gjithashtu tha se “Ukraina është e gatshme për marrëveshje”.
Problemi, sipas Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, është se Putini është i gatshëm për të vazhduar luftën. /VOA