Tensionet në Mesdheun Lindor kanë bërë Donald Trump që të bisedojë me Presidentin turk, Rexhep Taip Erdogan dhe kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis. Presidenti i SHBA-së ka zhvilluar me secilin prej tyre biseda telefonike mbi zhvillimet e reja në rajon.
Shtëpia e Bardhe përmes zëvendës sekretarit për shtyp, Judd Deere, ka deklaruar se dy vendet duhet që të hyjnë në dialog, për të zgjidhur të gjitha diferencimet që kanë. Ai tha se Trump është shumë i shqetësuar për tensionet pasi bëhet fjalë për dy vende aleate të NATO-s.
Mediat greke theksojnë faktin se stabiliteti dhe paqja e gjithë rajonit është vënë në rrezik për shkak të veprimeve të Turqisë. Mitsotakis ka nënvizuar se është gati që të futet në një dialog për tensionimin e situatës, por kjo pasi Turqia të ndalojë veprimet provokuese.
Pak pas komunikimit me Mitsotakis, Trump ka zhvilluar një tjetër bisedë, kësaj radhe me homologun e tij, Erdogan. Nga mediat e shtetit turk, shkruhet se Turqia nuk po krijon destabilitet me Greqinë.
Presidenti turk ka theksuar se ka bërë veprime konkrete për të ulur tensionet dhe për të vendosur dialogun në lidhje me pretendimet e palëve./tvklan.al