Me anë të dokumenteve false një person ka përfituar një sipërfaqe toke prej 20 mijë metra katrorë. Për këtë arsye Prokuroria e Vlorës ka urdhëruar sekuestron e kësaj sipërfaqeje në zonën e Porto Palermos në Himarë pasi dyshohet se është përfituar përmes dokumenteve të falsifikuar nga Vasil Rrapo.
Prokuroria e Vlorës ka nisur hetimin në bazë të kallëzimit të disa personave, të cilët kanë dokumentacionin e trashëgimisë së ligjshme mbi pronën, e cila aktualisht është e regjistruar në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZVRPP), Vlorë, në emër të Vasil Rrapos.
Në bazë të hetimit, Prokuroria e Vlorës ka konstatuar se ky person ka përfituar tokë në bazë të ligjit nr.7501/1991 “Për tokën” një sipërfaqe prej 9582 m2. Por, në Hipotekën e Vlorës, sipërfaqja e tij rezulton 29.582 m2.
Prokuroria ka bërë veprimet e nevojshme hetimore, nga ku ka rezultuar se është falsifikuar dokumenti për marrjen e tokës, në të cilin është shtuar numri “2” përpara shifrës së sipërfaqen reale, duke e shndërruar pronësinë e shtetasit Vasil Rrapo nga 9582 m2 në 29.582 m2.
Në vijim, Prokuroria e Vlorës ka konstatuar se pjesa më e madhe e kësaj sipërfaqe, e cila është regjistruar në ZVRPP në emër të Vasil Rrapos është tjetërsuar, duke u shitur te persona të tretë ose duke u dhuruar.
Prokuroria e Vlorës, Njësia Task-Force, ka konstatuar gjithashtu se pjesa e pasurisë së tjetërsuar i përket asaj sipërfaqe toke, e cila dyshohet se është përfituar nëpërmjet dokumentave të falsifikuar. Aktualisht Vasil Rrapo ka në pronësi pjesën e tokës, e cila i është njohur që në vitin 1991, në zbatim të ligjit nr.7501, “Për tokën”.
Në këto kushte, Prokuroria e Vlorës ka kërkuar në gjykatë vendosjen e sekuestros preventive për 20.000 m2, e cila është pjesa e sipërfaqes, e dyshuar si e përfituar në mënyrë të paligjshme nga Rrapo dhe që më pas u është shitur personave të tjerë. /tvklan.al