Të parin udhëtim jashtë vendit që pas heqjes së masës së “arrestit në shtëpi”, Sali Berisha ka vendosur ta bëjë në Gjermani. Kreu i demokratëve të hënën do të marrë pjesë në Kongresin Elektoral të CDU-së, i ftuar si përfaqësues i opozitës shqiptare. Pjesë e delegacionit janë edhe deputetët Tomor Alizoti e Albana Vokshi.

Kongresi mbledh liderët e partive anëtare të Partisë Popullore Evropiane, ku bën pjesë edhe Partia Demokratike e Shqipërisë. Kjo konventë vjen vjen pak javë përpara zgjedhjeve të parakohshme në Gjermani, ku kandidati i CDU-së Friedrich Merz shihet si pretendenti fitues në postin e kancelarit në elektoralet e 23 Shkurtit.

Më herët, Berisha priti në selinë blu një përfaqësi të deputetëve konservatorë britanikë me të cilët ndau shqetësimet për zgjedhjet e 11 Majit, si dhe votën e diasporës që e sheh kyçe në ndryshimin e vendit.

Në njoftimin e shpërndarë nga zyra e shtypit sqarohet se, Berisha informoi deputetët britanikë lidhur me keqqeverisjen sipas tij të Kryeministrit Rama, ndjekjen e një politike të ekstremit të majtë dhe ndikimit sorosian, përdorimin e drejtësisë si armë kundër kundërshtarit politik dhe asgjësimin e opozitës.

Berisha mirëpriti angazhimin e Partisë Konservatore britanike për të mbështetur PD në zgjedhjet e 11 Majit për luftën kundër “narkoshtetit” dhe rënien e tij.

Tv Klan