Së fundmi nëpër rrjete sociale është shfaqur një reklamë e një akademie turke që kërkon aktorë. Bëhet fjalë për “Ekol Medya Akademi” që pretendon që prodhon filma, telenovela dhe seriale në Turqi. Punonjësit thonë se kompania në fjalë operon prej 30 vjetësh në Turqi dhe së fundi edhe në Azerbajxhan e Shqipëri. Bëhet fjalë për një trajnim tremujor që zhvillohet një herë në javë e që kushton një mijë euro.
Punonjësja: Atëherë, Ekol Medya Akademi është një kompani, që prodhon filma, telenovela dhe seriale në Turqi. Ka 30 vite. Së fundmi ka ardhur në Turqi dhe në Azerbajxhan. Në Azerbajxhan ka 5 vite, që e ka hapur këtë kompani. Tani ka ardhur në Shqipëri, ka 5 muaj këtu tek neve. Ne kemi një projekt të gatshëm, por ne nuk kemi aktorë dhe kushti kryesor që ti të jesh aktori jonë është që ti duhet të trajnohesh këtu tek neve. Është tre muaj trajnim, është një herë në javë. Është o të mërkurën, 7-10 të darkës, ose të dielën që është 3-6 të mbasdites. Pas këtij tre mujori trajnimi, ti merr një certifikatë që je aktori i kësaj kompanie që është firmosur nga tre pedagogë që vijnë nga Turqia. Janë tre pedagogë turq dhe tre pedagogë shqiptarë që do të japin leksione. Pas certifikatës, ti do fillosh pjesë të xhirimit, por nuk e di se çfarë roli do marrësh. Nuk i di aftësitë e tua se sa ti mund të punosh gjatë këtyre tre muajve. Në bazë të performancës që ti do japësh para pedagogëve turq edhe shqiptarë, do bëhet përzgjedhja që ju të merrni një rol sa më të mirë.
Stop: Kush është regjisori?
Punonjësja: Regjisori është turk.
Stop: Po pra, ka emër? Si e ka emrin?
Punonjësja: Serxhan!
Stop: Po këta pedagogët shqiptarë?
Punonjësja: Është Arjola Derhemi…Është…Harrova…Më iku…
Erlin Matera tregon për emisionin “Stop” në Tv Klan se pa reklamën në Instagram dhe u paraqit me ëndrrën e aktorit. Atij si dhe të gjithë të tjerëve, u thanë se shohin dritë në mënyrë që ai të vazhdonte dhe kompania të vilte paratë.
“Fatin” për t’u regjistruar në akademi e provoi edhe i infiltruari i “Stop” të cilit gjithashtu i dalluan “dritën e brendshme”.
Punonjësja: Si je?
Stop: Si kalove?
Punonjësja: Mirë!
Stop: Tani si funksionon? E plotësova unë këtë. Çfarë ndodh?
Punonjësja 1: Bëhet ky formulari. Bën 3 foto, duke qeshur, i zemëruar, i habitur dhe ti mund të telefonohesh për një fazë të dytë. Hëë dhe në fazën e dytë ti, sapo bën dialogun, pret vetëm pak, merr përgjigjen po ose jo. Nëse merr po, merresh në zyrë dhe të sqarohet çdo gjë atje.
Pasi pagoi kaparin, edhe ‘fatlumi’ vijoi rrugëtimin për aktrim.
Stop: Përshëndetje! Si kalove?
Punonjësja: Mirë se erdhe sërish! Ti je për fazë të dytë?
Stop: Po!
Punonjësja: Mund t’i hedhësh një sy këtij skenarit! Do të interpretohet sot nga ana jote dhe pastaj do të vijë vajza që do të shpjegojë më shumë.
Asistentja: Fillo!
Stop: (Luhet skenari para një kamere) Pse erdhe atje?
Asistentja: A je në dijeni të asaj, ça po bën?
Stop: Unë jam i vetëdijshëm për atë që po bëj. Ti a je e vetëdijshme për atë, që po bën? Drejtove një makinë drejt meje. Bëjmë edhe një tjetër, apo mbaruam?
Asistentja: Hajde! Unë besoj, se bashkë, mund të arrijmë diku. Ti pjesën e zërit e ke mirë, por duhet të punojmë pak me mimikat e fytyrës. Duhet të punojmë pak me pjesën e lëvizjes që të mos lëvizësh shumë, se të pashë edhe te vajza që po i drejtoheshe sepse te kamera, kamera e zmadhon dhe e zvogëlon vetë, nuk është se je në teatër edhe ti do lëvizësh, do i tregosh ndjenjat teatrit. Më kupton?
Asistentja: Do më lësh një kapar, që minimumi këtu tek neve…
Stop: Epo, tani për momentin…, se kush mban 250 euro me vete?
Asistentja: Jo, jo… Kapari këtu është minimum, që ti mund të lësh është 50 euro.
(Jepen lekët, 4000 lekë).
Asistentja: Këtu do shkruash tani, do të bësh vizë këtë 250-tshen dhe do shkruash 210-të!/tvklan.al