UEFA shton akoma dhe më shumë polemikat për fitoren e Kampionatit Europian nga Spanja. Komiteti i Arbitrave të UEFA-s, në analizën e saj të zakonshme ka evidentuar faktin që goditja e ndalur me dorë nga mbrojtësi spanjoll, Marc Cucurella në ndeshjen me Gjermaninë duhej të ishte akorduar penallti.
Goditja e Musiala u ndal dukshëm me dorë nga futbollisti iberik, por as kryesori Anthony Taylor dhe as sistemi VAR nuk ndërhyri për të shkuar më pas tek një 11 metërsh në favor të Panserave.
“Duke ndjekur udhëzimet më të fundit të UEFA-s, kontakti dorë me top që ndalon një gjuajtje në portë duhet të ndëshkohet rreptësisht, dhe në shumicën e rasteve duhet të konvertohet në një goditje dënimi ose penallti, përveç rastit kur krahu i mbrojtësit është shumë afër trupit. Në këtë rast, mbrojtësi ndalon goditjen në portë me krahun e tij, i cili nuk është shumë afër trupit, duke zënë sipërfaqe më të madhe, ndaj duhej të ishte dhënë një goditje dënimi”, thuhet në njoftimin e Komitetit të Arbitrave në UEFA.
Episod i ndodhur në çerekfinalen e kompeticionit të zhvilluar këtë verë në Gjermani, që me gjasa do të ndryshonte historinë. Një veprim që ndodhi në kohën shtesë të kësaj sfide, ku gjithçka ishte e mbërthyer në barazim 1-1.
Ky veprim u pasua më pas nga goli i Mikel Merino në minutën e 119-të me një goditje me kokë që ndihmoi Kombëtaren spanjolle për të kaluar në gjysmëfinalen e kompeticionit.
Klan News