Ukraina pret kontakte të nivelit të lartë me administratën e re amerikane menjëherë pasi Donald Trump të marrë detyrën, duke përfshirë një takim të mundshëm midis Trump dhe Presidentit Volodymyr Zelenskiy për të diskutuar për luftën.

“Ne presim një takim mes presidentëve tanë, Presidentit Trump dhe Presidentit Zelenskiy sepse për ne gjëja kryesore është të punojmë së bashku me Amerikën drejt paqes”, tha Heorhii Tykhy.

Ministria e Jashtme e Ukrainës iu përgjigj edhe kritikave të fundit të Sllovakisë për mbylljen e rubinetave të tubacioneve që transportonin prej më shumë se 3 dekadash, gazin rus drejt Europës, pas skadimit të kontratës së fundit 5-vjeçare.

Për Sllovakinë, ndërprerja do të thotë të paktën 2-fishim kostosh të importit.

“Problemi qëndron tek Rusia, me agresionin kundër Ukrainës dhe mosgatishmërinë e ‘politikanëve të caktuar’ për të shkeputur varësinë e tyre nga Rusia dhe burimet e energjisë.”, tha Tykhy.

Ukraina, e cila është përballur me agresionin rus për gati tre vjet, refuzoi të rinovojë një marrëveshje tranziti me Moskën që përfundoi muajin e kaluar.

Klan News