Punimet në Unazën e Madhe të Tiranës po ecin me ritme të kënaqshme dhe ashtu siç është premtuar do të jetë gati në fund të këtij viti. Kështu ka konfirmuar edhe një herë zv/kryeministrja Belinda Balluku e cila ndoqi nga afër punimet.
“Unaza e Madhe do të lidhet tërësisht dhe do të dorëzohet në fund të këtij viti gjithmonë para afatit të kontratës tashmë pasi është diçka që po e aplikojmë në të gjitha kantieret”, tha Balluku.
Për Ballukun kjo vepër infrastrukturore ka rëndësi të veçantë pasi nuk i shërben vetëm kryeqytetit.
“Do të jetë një nga infrastrukturat më të rëndësishme jo për Tiranën, por për të gjithë vendin, duke qenë se nuk do të qarkullojnë vetëm automjetet e kryeqytetit, por edhe ato që vijnë nga autostradat e ndryshme nga veriu”, tha ajo.
Për hapjen rrugë të ndërtimit të Unazës së Madhe janë shpronësuar mbi 580 objekte, shumica e tyre janë kompensuar me shtëpi banimi.
“Është një punë e madhe që bëjmë me komunitetet tashmë edhe me praktikën e mirë duke i kompensuar me shtëpi sociale”, tha Balluku.
Unaza e Madhe e kryeqytetit është mbi 27 kilometra e gjatë.
Tv Klan