Izraeli i ka vrarë Hezbollahut edhe atë që konsiderohej si pasardhës i Hasan Nasrallahut në krye të organizatës. Ushtria izraelite konfirmoi se Hashem Safiedin është vrarë në një bombardim të para tre javëve, në periferinë jugore të Bejrutit, të konsideruar si bastion të Hezbollahut.

Në deklaratën për shtyp të ushtrisë izraelite thuhet se në sulmin e 4 Tetorit, bashkë me Safiedinin është vrarë edhe Ali Husein Hazima që konsiderohej edhe si komandant i qendrës së inteligjencës së Hezbollahut. Vetë organizata pro-iraniane nuk e ka konfirmuar vdekjen e tij, por pas atij sulmi tha se kishte humbur kontaktet me Hashem Safiedinin.

Kleriku shiit konsiderohej si numri dy i Hezbollahut dhe kishte lidhje farefisnore me Hasan Nasrallahun, i cili drejtoi këtë organizatë për më shumë se 3 dekada dhe humbi jetën nga bombardimet izraelite në jug të Bejrutit më 27 Shtator.

Dy organizatat kryesore të mbështetura nga Teherani në Lindjen e Mesme, Hezbollah dhe Hamas mbeten pa drejtues, pas ekzekutimit të tyre në sulme dhe atentate të kryera nga Izraeli. Për këtë arsye, Hamas që ushtron ende aktivitetin në Rripin e Gazës ka deklaruar se nuk do ta bëjë të ditur emrin e drejtuesit të ri.

Tv Klan