E gjithë Gjermania po përballet me temperatura mbi 30 gradë Celsius që për meterologët janë tepër të pazakonta.
Për disa gjermanë, temperaturat e larta do të thotë një ditë e mirë në surfing, por për të tjerët ato mund të jenë kërcënuese për jetën.
“Nëse jeni në diell për një kohë të gjatë, ju merrni goditje nga dielli. Unë e kam parë këtë të ndodhë me disa njerëz.”
Për meterologët edhe pse temperaturat janë në vlerën mbi 30 gradë Celsius ato ndjehen sikur 40 gradë dhe ndonjëherë edhe më të larta të cilat pritet të zgjasin për disa ditë.
I nxehti ka përfshirë edhe Parisin ndërsa temperaturat arritën në 40 gradë Celsius. Disa prej banorëve shfrytëzuan lumin Seine për t’u freskuar. Temperaturat parashikohen të rriten përgjatë gjithë javës.
Meteo France e ka vënë rajonin e Parisit, Ile-de-France, së bashku me 44 departamente të tjera, në alarm portokalli për nxehtësi ekstreme, niveli i dytë më i lartë i paralajmërimit. Vapa është në kontrast të plotë me stuhitë që përfshinë Parisin kur u mbajtën Lojërat e Parisit.
Ndërsa italianët përgatiten për festën kombëtare verore të Ferragosto-s dhe largohen nga qytetet e mëdha për pushime, një valë e të nxehtit ka goditur qytetet e Venecias dhe Romës. Sipas faqes së internetit të parashikimit të motit iLMeteo.it, vala e të nxehtit ”Charon” do të sjellë temperatura që mund të kalojnë 40 gradë Celsius në Italinë jugore. Vala e të nxehtit në Itali ka nxitur autoritetet të shpallin alarmin e kuq në 17 qytete, përfshirë Romën, Bolonjën dhe Firencen.
I nxehti ekstrem ka përfshirë edhe Spanjën. Agjencia spanjolle e motit AEMET ka vendosur nën alarm të kuq Cantabria në veri dhe qytetin bask të Bilbaos ku temperatura ka shënuar 45 gradë Celsius.
Vala e të nxehtit është kthyer edhe në Ballkan. Turistët dhe vendasit zgjodhën të freskoheshin në brigjet e një lumi ndërsa temperaturat në qytetin jugor të Bosnjës, Mostar, arritën në 40 gradë Celsius.
Paralajmërimet për valët e të nxehtit janë lëshuar në të gjithë Ballkanin, me temperatura që arrijnë ose afrohen 40 gradë Celsius në Beograd, Shkup dhe Athinë, e cila ende është duke luftuar me zjarre.
Klan News